Zyra e Prokurimit e Komunës së Prishtinës ka hapur një tender me vlerë të madhe, të parashikuar prej 10 milionë eurosh, për ndërtimin e urës, mbikalimit dhe nënkalimit për automjete në Veternik. Por, që në start, tenderi ngërthen disa dyshime nëse procedurat ligjore janë ndjekur me përpikëri. Operatorëve ekonomikë nuk u është lënë afati i zakonshëm prej së paku 40 ditësh për përgatitjen dhe dorëzimin e ofertave, shkruan Kujdestari.info.
Për shkurtimin e afatit, Komuna është thirrur në një përjashtim të Ligjit për Prokurimin Publik që lejon që, në rrethana të caktuara, afati minimal të zbresë nga 40 në 24 ditë.
Mirëpo, dokumentet e siguruara tregojnë se njoftimi paraprak të cilit i referohet Komuna dallon ndjeshëm nga tenderi që është hapur në gusht. Në “njoftimin paraprak” është paraqitur një projekt me vlerë vetëm 1 milion euro, me emërtim tjetër dhe pa datë të parashikuar të fillimit të procedurës.
Madje, një tjetër mospërputhje gjendet brenda vetë Njoftimit për Kontratë, pasi në një pjesë Komuna deklaron se nuk ka pasur publikime paraprake lidhur me kontratën e njëjtë, ndërsa vetëm një faqe më pas e përdor pikërisht një njoftim paraprak si arsyetim për shkurtimin e afatit.
Tender 10 milionë euro, rreth 25 ditë për ofertim
Njoftimi për kontratë është përgatitur më 10 gusht 2026, ndërsa bëhet fjalë për aktivitetin me numër prokurimi 616-26-6502-5-1-1.
Titulli i tenderit është “Ndërtimi i urës (Mbikalimi dhe Nënkalimi për vetura dhe automjete) në Veternik mbi rrugën ‘A’ – Bashkëfinancim me MMPHI-në”.
Vlera e parashikuar e kontratës është 10 milionë euro, ndërsa Komuna ka paraparë që punët të realizohen brenda 150 ditësh nga dhënia e kontratës.

Procedura e zgjedhur është procedurë e hapur.
Por, ndonëse njoftimi është përgatitur më 10 gusht, afati i fundit për pranimin e ofertave është caktuar më 4 shtator 2026, në ora 13:30.

Pikërisht këtu bëhet relevant Ligji për Prokurimin Publik.
Ligji: Për kontratat me vlerë të madhe afati normal është së paku 40 ditë
Neni 44 i Ligjit Nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik përcakton afatet minimale që duhet t’u lihen operatorëve ekonomikë për përgatitjen dhe dorëzimin e ofertave.
Për procedurën e hapur dhe kontratat me vlerë të madhe, afati normal minimal është 40 ditë. Këtë e konfirmojnë edhe Rregullat dhe Udhëzuesi Operativ për Prokurimin Publik, ku në tabelën e afateve për procedurën e hapur me vlerë të madhe përcaktohen 40 ditë.

Megjithatë, neni 45 krijon një përjashtim.
Nëse një kontratë me vlerë të madhe ka qenë më parë objekt i një “njoftimi paraprak”, afati mund të shkurtohet në jo më pak se 24 ditë.
Por kjo mundësi nuk është automatike vetëm për faktin se autoriteti kontraktues ka publikuar dikur një “njoftim paraprak”.
Ligji vendos dy kushte. Së pari, njoftimi paraprak duhet të përfshijë të gjitha informacionet e përcaktuara në formularin standard të miratuar nga KRPP-ja. Së dyti, ai duhet të jetë publikuar së paku 40 ditë dhe jo më shumë se 12 muaj para publikimit të njoftimit për kontratë.

Rregullorja Nr. 001/2022 është po aq e qartë. Në pikën 6.5 përcaktohet se “njoftimi paraprak” mundëson reduktimin nga afati normal prej 40 ditësh në jo më pak se 24 ditë. Por menjëherë në pikën 6.6 përcaktohet se ky reduktim mund të përdoret vetëm nëse njoftimi paraprak ka të gjitha informatat e nevojshme të specifikuara dhe është publikuar brenda periudhës 40 ditë-12 muaj para njoftimit për kontratë.
Komuna: E shkurtuam sepse kishim njoftim paraprak
Komuna e Prishtinës e ka pranuar në dokumentin zyrtar se afati për ofertim është shkurtuar.
Në pikën IV.3.3 të Njoftimit për Kontratë, në pyetjen nëse afati kohor për dorëzimin e tenderëve është shkurtuar, është shënuar “Po”.
Si arsyetim është dhënë se “Afati kohor për dorëzimin e tenderëve është shkurtuar për arsyes se është me njoftim paraprak te publikuar me datë 18.03.2026…”

Në aspektin kohor, publikimi më 18 mars e plotëson kushtin 40 ditë-12 muaj.
Por përmbajtja e “njoftimit paraprak” hap një problem krejt tjetër.


Njoftimi paraprak nuk fliste për tender 10 milionësh
Dokumenti të cilit i referohet Komuna ai është publikuar si: “Depërtimi i Rrugës A (bashkinvestim me MMPH)”.
Në faqen e dytë të njoftimit paraprak ndodhet tabela ku autoriteti duhet të paraqesë kontratat e parashikuara për punë.
Aty ekzistojnë kolonat për: klasifikimin e prokurimit; përshkrimin e kontratës; vlerën e parashikuar; datën e parashikuar të fillimit të procedurës, nëse dihet; informacione të tjera.
Por të dhënat e paraqitura nga Komuna janë minimale. Përshkrimi është vetëm:“Depërtimi i Rrugës A (bashkinvestim me MMPH)”.
Vlera e parashikuar shënoni 1,000,000 euro.
Ndërsa rubrika për datën e parashikuar të fillimit të procedurës është lënë bosh. Edhe rubrika për informacione të tjera është bosh.
Pra, operatori ekonomik që e ka lexuar “njoftimin paraprak” në mars është informuar për një projekt të quajtur “Depërtimi i Rrugës A” me vlerë 1 milion euro, e jo për një tender prej 10 milionë eurosh për ndërtimin e urës, mbikalimit dhe nënkalimit në Veternik.
Nga 1 milion në 10 milionë euro
Dallimi nuk është i vogël. Vlera e paraqitur në “njoftimin paraprak”, siç u cek është 1,000,000 euro. Vlera e tenderit të publikuar në gusht është 10,000,000 euro.
Pra, tenderi që Komuna po e lidh me njoftimin paraprak është dhjetëfish më i madh nga vlera që vetë Komuna kishte paraqitur në atë njoftim.
Ka ndryshim edhe në emërtim.
Në mars është quajtur “Depërtimi i Rrugës A (bashkinvestim me MMPH)”.
Në gusht “Ndërtimi i urës (Mbikalimi dhe Nënkalimi për vetura dhe automjete) në Veternik mbi rrugën ‘A’ – Bashkëfinancim me MMPHI-në”.
Ligji kërkon “karakteristikat thelbësore” të punëve
Kjo merr rëndësi të veçantë për shkak të nenit 39 të Ligjit për Prokurimin Publik.
Ligji nuk e trajton njoftimin paraprak si një formalitet.
Për kontratat e punëve, neni 39.1.3 kërkon që njoftimi paraprak të përcaktojë karakteristikat thelbësore të kontratave të punëve që autoriteti kontraktues synon t’i japë gjatë periudhës së ardhshme 12-mujore.
Kjo e bën të rëndësishme dilemën nëse një njoftim për “Depërtimin e Rrugës A”, 1 milion euro, mund të konsiderohet njoftim paraprak i mjaftueshëm për një kontratë të mëvonshme 10 milionë euro për urë, mbikalim dhe nënkalim në Veternik. Sepse pikërisht ekzistenca e një njoftimi paraprak të vlefshëm është përdorur për t’ua shkurtuar operatorëve ekonomikë kohën e tenderimit.
Një kundërthënie tjetër në dokumentin e vetë Komunës
Dokumenti përmban edhe një element tjetër të rëndësishëm.
Në faqen 8 të Njoftimit për Kontratë ekziston pika: “IV.3.1) Publikimet paraprake në lidhje me kontratën e njëjtë”.
Komuna ka pasur dy alternativa: Po ose Jo. Është shënuar: JO.
Pra, në këtë pjesë të dokumentit zyrtar Komuna deklaron se nuk ekziston publikim paraprak në lidhje me kontratën e njëjtë.

Por në faqen pasuese, kur duhet të arsyetojë pse afati është shkurtuar, Komuna deklaron të kundërtën në substancë: se afati është shkurtuar pikërisht sepse ekziston njoftimi paraprak i publikuar më 18 mars.
Kjo krijon një kundërthënie të dokumentuar brenda të njëjtit njoftim.
Në njërën pjesë: nuk ka publikim paraprak për kontratën e njëjtë.
Në tjetrën: afati është shkurtuar për shkak të publikimit paraprak.
Pra, problemi është tërësia e informacionit që operatorët kanë marrë në mars dhe nëse ai njoftim mund të përdoret juridikisht si bazë për reduktimin e afatit të një tenderi dhjetëfish më të madh.
Ligji thotë se afati 24-ditor mund të përdoret vetëm kur njoftimi paraprak përmban informacionet e kërkuara.
Ndërkohë, vetë KRPP-ja e shpjegon qëllimin e njoftimit paraprak si instrument që mundëson pikërisht reduktimin e afatit nga 40 në 24 ditë për kontratat me vlerë të madhe.
Sipas dosjes së tenderit, Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Mjedisit e kanë përcaktuar se sa buxhet do të ndajnë për ndërtimin e urës deri në vitin 2029.
Të dhënat tregojnë se në vitin aktual, Komuna e Prishtinës do t’i ofrojë 1 milionë euro, kurse Ministria e Mjedisit 2 milionë euro.
Në vitin 2027, Komuna e Prishtinës do t’i ofrojë 1 milionë euro, kurse Ministria e Mjedisit 500 mijë euro më shumë.
Në vitin 2028, Komuna e Prishtinës planifikon t’i ndajë 2 milionë euro, kurse Ministria 1 milion e 500 mijë euro.
Dhe në vitin 2029, Komunës së Prishtinës do t’i duhen 1 milionë euro t’ia kushtojë këtij projekti.
Në këtë rast, nga dokumentet e publikuara nuk rezulton ndonjë rrethanë e jashtëzakonshme që do ta bënte të domosdoshëm shkurtimin e kohës së garimit. Për më tepër, vetë tenderi parasheh një periudhë realizimi deri në 150 ditë nga dhënia e kontratës, çka tregon se bëhet fjalë për një projekt që nuk pritet domosdoshmërisht të përfundojë brenda këtij viti.
Në një procedurë prej 10 milionë eurosh, ku operatorëve u kërkohet qarkullim prej së paku 15 milionë eurosh, kapital financiar prej 2 milionësh, projekte të ngjashme prej së paku 15 milionësh, përfshirë një urë prej minimum 3 milionë eurosh, si dhe staf, licenca, certifikime e pajisje të shumta, shkurtimi i afatit merr rëndësi edhe më të madhe për konkurrencën reale. Sa më komplekse të jenë kërkesat, aq më shumë kohë u nevojitet operatorëve për sigurimin dhe përgatitjen e dokumentacionit, marrëveshjeve dhe dëshmive të kërkuara. Pikërisht për këtë arsye, shkurtimi i afateve në tenderë të tillë mund të ngrejë dyshime për kufizim të konkurrencës dhe meriton kontroll të shtuar, nëse ndonjë operator do të kishte pasur informacion ose qasje në kërkesat konkrete përpara publikimit zyrtar, ai do të kishte avantazh të konsiderueshëm ndaj konkurrentëve që për përgatitjen e ofertës kanë vetëm afatin zyrtar. /Kujdestari.info/