Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), institucioni suprem i auditimit në vend, është e obliguar të funksionojë strikt në përputhje me Ligjin Nr. 05/L-055 për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit. Megjithatë, miratimi i Rregullores Nr. 02/2024 për organizimin dhe sistematizimin e vendeve të punës ngre dyshime mbi përputhshmërinë e saj me ligjin në fuqi, shkruan Kujdestari.info.
Ligji për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit përcakton qartë mënyrën se si duhet të organizohet dhe të funksionojë ky institucion, në përputhje me Kushtetutën dhe me ligjin në fuqi. Ligji Nr. 05/L-055 për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit është akti themelor që rregullon strukturën, kompetencat dhe funksionimin e këtij institucioni, shkruan Kujdestari.info.
Sipas Nenit 15 të këtij ligji, Zyra Kombëtare e Auditimit organizohet në përputhje me këtë ligj dhe përbëhet nga Auditori i Përgjithshëm, Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Ndihmës Auditorët e Përgjithshëm dhe stafi profesional e administrativ. Kjo dispozitë e vendos qartë strukturën organizative të paraparë me ligj dhe e përfshin nivelin e Ndihmës Auditorëve të Përgjithshëm si pjesë të menaxhmentit të lartë të institucionit.
Përveç Auditorit të Përgjithshëm dhe zëvendësit të tij, Ndihmës Auditorët e Përgjithshëm janë pjesë e menaxhmentit të lartë të Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe kanë rol drejtues me kompetenca ekzekutive në proceset audituese. Ata janë paraparë nga ligji që ta ndihmojnë Auditorin e Përgjithshëm në udhëheqjen e institucionit dhe në sigurimin e cilësisë së auditimeve, duke ushtruar funksione mbikëqyrëse dhe menaxheriale brenda strukturës së përcaktuar ligjërisht.
Ligji për Zyrën Kombëtare të Auditimit kërkon gjithashtu që institucioni të funksionojë sipas standardeve ndërkombëtare të auditimit në sektorin publik (ISSAI). Këto standarde kërkojnë strukturë të qartë drejtuese, ndarje të qartë të përgjegjësive dhe mbikëqyrje efektive të punës audituese, në mënyrë që auditimet të jenë të pavarura, profesionale dhe të besueshme për publikun.
Në këtë kontekst, me miratimin e Rregullores Nr. 02/2024 për organizimin dhe sistematizimin e vendeve të punës, ngriten dilema lidhur me përputhshmërinë e saj me ligjin në fuqi dhe me standardet ndërkombëtare të auditimit. Sipas strukturës së re organizative, roli i Ndihmës Auditorëve të Përgjithshëm duket se është ndryshuar në mënyrë thelbësore, duke u kufizuar në funksione më tepër këshilluese dhe me më pak kompetenca të drejtpërdrejta menaxheriale e mbikëqyrëse në proceset audituese.
Përmes kësaj rregulloreje, drejtorët e departamenteve raportojnë drejtpërdrejt te Auditori i Përgjithshëm, çka ndryshon zinxhirin e raportimit dhe e redukton rolin ndërmjetës të Ndihmës Auditorëve të Përgjithshëm në drejtimin e departamenteve të auditimit. Duke pasur parasysh se struktura organizative është e përcaktuar me ligj, kjo situatë hap dilema juridike nëse riorganizimi është plotësisht në përputhje me kornizën ligjore ekzistuese.
Ky ndryshim nuk është vetëm çështje organizimi të brendshëm administrativ, por prek edhe parimin e hierarkisë normative. Në sistemin juridik, një akt nënligjor siç është rregullorja e brendshme, duhet të jetë në përputhje me ligjin dhe nuk mund të ndryshojë thelbin e rolit që është përcaktuar me ligj. Kur ligji e definon një pozitë si pjesë të menaxhmentit drejtues me kompetenca të caktuara, çdo kufizim apo riformulim i këtyre kompetencave përmes një akti të brendshëm kërkon bazë të qartë ligjore.
Deri në miratimin e kësaj rregulloreje, Ndihmës Auditorët e Përgjithshëm kanë pasur përgjegjësi të drejtpërdrejta për drejtimin e departamenteve të auditimit, për mbikëqyrjen e punës së auditorëve dhe për sigurimin e cilësisë së auditimeve, në përputhje me ligjin, standardet ndërkombëtare dhe manualet e auditimit që janë ende në fuqi. Ndryshimi i rolit të tyre, sipas strukturës së re, mund të krijojë paqartësi në udhëheqje dhe të ndikojë në funksionimin e sistemit të brendshëm të kontrollit të cilësisë.
Parimisht, të gjitha aktet nënligjore duhet të jenë në harmoni me ligjin në fuqi dhe nuk mund të kenë efekt që e tejkalon apo e zëvendëson dispozitën ligjore. Nëse një rregullore rezulton në reduktim të kompetencave të një pozite të përcaktuar me ligj, atëherë çështja e përputhshmërisë së saj bëhet objekt i vlerësimit juridik nga organet kompetente.
Duke pasur parasysh rolin e Zyrës Kombëtare të Auditimit në kontrollin e përdorimit të parasë publike dhe raportimin në interes të qytetarëve, çështja e përputhshmërisë mes ligjit dhe aktit nënligjor është me rëndësi të veçantë institucionale.
Deri në momentin e publikimit, Zyra Kombëtare e Auditimit nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e dërguara, para rreth dy javesh lidhur me bazën ligjore të këtij riorganizimi dhe arsyetimin juridik për ndryshimin e kompetencave të Ndihmës Auditorëve të Përgjithshëm. /Kujdestari.info/
