Kandidati konsensual për President të Kosovës, Bekim Sejdiu, në deklarimet e tij të pasurisë në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit ka paraqitur të dhëna të ndryshme për një shtëpi të deklaruar si pasuri e trashëguar familjare, shkruan Kujdestari.info.
Në deklarimin e vitit 2025, Sejdiu ka deklaruar një shtëpi të trashëguar me sipërfaqe prej 350 metra katrorë, me vit përfitimi 1984 dhe vlerë të deklaruar prej 27 mijë eurosh.

Ndërsa në deklarimin e rregullt vjetor të vitit 2026, e njëjta kategori pasurie paraqitet me ndryshim në disa të dhëna. Shtëpia e trashëguar figuron me sipërfaqe prej 400 metra katrorë, me vit përfitimi 1984, ndërsa vlera e deklaruar është 270 mijë euro.

Në deklarimin e vitit 2024, i cili ishte bërë me rastin e marrjes së detyrës si profesor asistent në Universitetin e Prishtinës, pasuritë e paluajtshme të trashëguara nuk figurojnë në listën e deklaruar; aty paraqitet një shtëpi tjetër prej 350 metra katrorësh, e ndërtuar në vitin 2018 me kredi bankare, me vlerë prej 150 mijë eurosh.

Diferenca mes deklarimeve lidhet kryesisht me sipërfaqen dhe vlerësimin financiar të shtëpisë së trashëguar, nga 350 m² dhe 27 mijë euro në vitin 2025, në 400 m² dhe 270 mijë euro në vitin 2026.
Nga dokumentet e publikuara nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit nuk rezulton arsyeja e ndryshimit të këtyre të dhënave. Mbetet e paqartë nëse ndryshimi lidhet me një rivlerësim të pronës, korrigjim teknik apo përditësim të të dhënave të deklaruara.
Bekim Sejdiu është profesor asistent në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës dhe ka deklaruar pasurinë pranë AKK-së në kuadër të obligimeve ligjore për zyrtarët publikë. /Kujdestari.info/