Numri i punëtorëve që humbin jetën gjatë kryerjes së detyrave të punës po rritet me ritme alarmante në Kosovë. Në krye të listës së sektorëve më të rrezikuar qëndron ndërtimtaria, ku mungesa e masave elementare të sigurisë, pajisjeve mbrojtëse dhe mbikëqyrjes profesionale po kthehet në kërcënim të përditshëm për jetën e punëtorëve.
Edhe pse legjislacioni kosovar për sigurinë dhe shëndetin në punë është i harmonizuar me direktivat evropiane, zbatimi i tij në praktikë mbetet minimal. Mosrespektimi i rregullave, mungesa e kontrolleve efektive dhe ndëshkimet simbolike për shkelësit po e thellojnë krizën e sigurisë në vendet e punës.
Sindikatat dhe organizatat e punëtorëve kanë ngritur vazhdimisht alarmin, por institucionet përgjegjëse akuzohen për mosveprim dhe mungesë të masave konkrete që do të parandalonin tragjeditë e përsëritura.
Të dhënat zyrtare dhe dëshmitë nga terreni zbulojnë një realitet të rëndë, ku çdo muaj humben jetë njerëzish në vendet e tyre të punës — shumica prej tyre në kantieret e ndërtimit.
Inspektorati i Punës sqaron se në shumicën e rasteve kemi të bëjmë me mungesën e kushteve të sigurta për punë.
“Rastet kanë ndodhur në sektorin e ndërtimtarisë, prodhimtarisë, elektricitet dhe shërbimeve. Në shumicën e rasteve kemi të bëjmë me mungesën e kushteve të sigurta për punë, mospërdorimi i pajisjeve personale mbrojtëse, trajnimeve dhe mosvlerësimi i rrezikshmërisë në vendin e punës”, thuhet në përgjigjen e Inspektoratit të Punës.
Të pyetur nëse ka kompani që janë ndjekur penalisht për neglizhencë që ka çuar në humbje jete, nga Inspektorati thonë se “në të gjitha rastet kur kemi të bëjmë me aksidentet në vendin e punës edhe organet tjera duke përfshirë Prokurorin e Shtetit janë të involvuara në këto raste”.
Por situata, sipas kryetarit të Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, është shumë më e rëndë sesa tregojnë statistikat zyrtare.
Ai shprehet me shqetësim të madh për mungesën e reagimit institucional.
“Në situata e sigurisë në vendin tonë, përkatësisht respektimi i Ligjit mbi Sigurinë dhe Shëndetin, s’ka qenë asnjëherë më e rëndë që nga paslufta. Në këtë vit ne vetëm nga një janari i 2025 deri me në fund tetorit, i kemi 29 raste të vdekjeve. Dhe nga këto janë 29 raste të vdekjeve, shtatëdhjetë për qind të rasteve janë ato raste të cilat kanë ndodhur në ndërtimtari”.
Sipas Azemit, viktimat janë kryesisht të rinj.
“Dhe fatkeqësisht kemi punëtorë që kanë vdekë që nga mosha 23-vjeç e deri në moshën 45-vjeç”. /Telegrafi.com