Disa ditë më parë, Komuna e Prishtinës nisi ndërtimin e Sheshit “Xhorxh Bush”. Megjithatë, punimet u ndalën me urdhër të Inspektoratit për Trashëgimi Kulturore, i cili pretendon se Komuna nuk ka marrë lejen e nevojshme për të punuar në zona të mbrojtura për trashëgimi kulturore. Demokracia.com ka shqyrtuar kontratën mes operatorëve dhe komunës, ku vërehen të gjitha objektet që do të vendosen dhe do të hiqen nga sheshi.
Më 15 gusht 2024, prokurimi komunal shpalli njoftimin për kontratën e ndërtimit të sheshit me vlerë 18.4 milionë euro. Kontrata e nënshkruar me konsorciumin e kompanive ‘Salillari’ SHPK, ‘Gjini Construction’ dhe ‘Hidroterm’, të cilat fituan me një ofertë prej 18.162 milionë euro, parashikon një afat prej 240 ditësh për realizimin e projektit. Punimet u ndalën menjëherë pas fillimit, duke vendosur pengesa në rrjedhë dhe hequr disa elementë.
Demokracia.com ka shqyrtuar edhe kontratën, ku janë përfshirë parashikimet për të gjitha pozicionet që do të ndërtohen. Kompania fituese ka vendosur çmimet për secilën nga artikujt që kërkohen nga komuna për të ndërtuar në shesh.
Në specifikimet që u publikuan, përfshihen edhe disa pozicione për heqjen dhe rivendosjen e shtatores së Ibrahim Rugovës, e cila ndodhet në oborrin e Katedrales. Ky pozicion ka një kost të caktuar prej rreth 20 mijë euro.
Për shembull, në kapitullin e ‘Demolimit’, pozicioni 3.1.7 për “Zhvendosjen e shtatores së Ibrahim Rugovës dhe vendosjen në një vend të ri, derisa të vendoset bazamenti i ri”, do të kushtojë 8 mijë euro fiks. Pastaj, pozicioni i dytë përfshin rivendosjen e shtatores në vendin e saj pas zhvendosjes, dhe punimet e bazamentit për rivendosjen do të kushtojnë 10 mijë euro. Vetëm demolimi i bazamentit të shtatores do të kushtojë 750 euro.
Mbetet për t’u parë se ku do ta ruajë kompania shtatoren për gjithë këtë shumë parash. Megjithatë, gjasat më të mëdha janë që ajo të zhvendoset vetëm disa metra më lart, në anën tjetër të oborrit të Katedrales.
Bazuar në kontratën që Demorkacia.com ka parë, në seksionet e paramasave dhe parallogarive, të gjitha pozicionet duhet të nderohen, duke filluar nga ato të rregullimit të jashtëm dhe ato të brendshme.
Kapitulli i parë është “Sheshi Katedralës 1”, ku janë parashikuar shpenzime mbi 2.8 milionë euro. Kjo përfshin punët e dheut, ndërtimit, gjelbërimit, kanalizimit, furnizimit me ujë, dhe të tjera. Pozicioni më i lartë është për punët ndërtimore, me një vlerë prej 2.1 milionë euro.
“Sheshi Shkolla 2” merr 721 mijë euro për të gjitha pozicionet.
“Sheshi Komercial 03” pritet të marrë mbi 1.1 milionë euro. “Sheshi Qendër 04” pritet të marrë mbi 6.7 milionë euro.
“Sheshi Koncërteve 05” do të marrë mbi 3.1 milionë euro për fazat e ndryshme si punimet e dheut, përgaditoret, ndërtimi, gjelbërimi, ndriçimi, ujrat e zeza, fontana, dhe të tjera.
“Sheshi Rekreacioni 06” ka 10 pozicione dhe pritet të marrë mbi 1.7 milionë euro.
“Sheshi Studentëve 07” pritet të marrë mbi 1.8 milionë euro. Totali është 18 milionë e 162 mijë euro.
Për të gjitha këto “sheshe” janë parashikuar shumë pozicione (artikuj) që do të punohen dhe secili ka një çmim të vetin nga kompanitë e kontraktuara.
Në vijim mund të shihni të gjitha pozicionet e kontratës, bashkë me sasinë dhe çmimet. KETU