Aktuale

Ndërmarrjet publike me 482 milionë euro detyrime, Auditori: Pagesa e tyre duket mjaft e vështirë

Nga Kujdestari Media

Gjendja financiare e ndërmarrjeve publike të audituara nga Zyra Kombëtare e Auditimit paraqitet problematike, pavarësisht se shumica e tyre e kanë mbyllur vitin 2025 me rezultat pozitiv financiar, shkruan Kujdestari.info.

ZKA ka analizuar dhjetë ndërmarrje publike: KEK-un, Trepçën, KOSTT-in, KRU “Hidrodrini”, NPH “Ibër-Lepenc”, KRU “Prishtina”, Termokosin, NPL “Stacioni i Autobusëve” në Prishtinë, KRM “Uniteti” në Mitrovicë dhe KRM “Pastërtia” në Ferizaj.

Në fund të vitit 2025, këto ndërmarrje kishin së bashku rreth 482.2 milionë euro detyrime, prej të cilave 149.2 milionë euro afatshkurtra dhe rreth 333 milionë euro afatgjata. Në të njëjtën kohë, të hyrat e përgjithshme të dhjetë ndërmarrjeve ishin rreth 396.4 milionë euro.

Barra më e madhe e detyrimeve rezulton te disa prej ndërmarrjeve kryesore. Vetëm KEK-u kishte rreth 196.6 milionë euro detyrime, prej tyre 40.37 milionë afatshkurtra dhe 156.28 milionë afatgjata. KOSTT-i kishte rreth 103.9 milionë euro, ndërsa Trepça rreth 39.8 milionë euro detyrime. Termokosi kishte mbi 47 milionë euro, KRU “Prishtina” rreth 38.5 milionë euro, ndërsa KRU “Hidrodrini” mbi 33 milionë euro.

Vetëm tri ndërmarrje -KOSTT, KEK dhe Trepça, përbënin rreth 85 për qind të të gjitha detyrimeve afatshkurtra. KOSTT-i kishte rreth 50 milionë euro, KEK-u 40.3 milionë dhe Trepça 36.7 milionë euro obligime që duhej të shlyheshin brenda një viti.

Edhe te detyrimet afatgjata përqendrimi është i madh. Nga 333 milionë euro gjithsej, rreth 159 milionë euro, apo 47 për qind, i atribuohen KEK-ut. ZKA thekson se për shkak të mangësive në shpalosjen e informatave nuk ka mundur të sigurojë të dhëna të plota se brenda sa vitesh duhet të kthehen këto detyrime.

Përkundër këtij niveli të detyrimeve, tetë nga dhjetë ndërmarrjet dolën me fitim. Dy përjashtimet ishin Trepça, me humbje rreth 2.2 milionë euro, dhe KRU “Hidrodrini”, me humbje prej 529 mijë eurosh. Fitimet më të mëdha i kishin KOSTT-i, me 10.18 milionë euro, dhe KEK-u, me 10.10 milionë euro.

Megjithatë, për ZKA-në rezultati pozitiv i shumicës së ndërmarrjeve nuk e ndryshon problemin themelor. Auditori vlerëson se gjendja financiare mbetet e vështirë për shkak të shumave të larta të detyrimeve. Duke krahasuar 482 milionë euro detyrime me vetëm rreth 396 milionë euro të hyra vjetore, ZKA konstaton se pagesa eventuale e detyrimeve “duket mjaft e vështirë”, ndërsa obligimet e reja që mund të krijohen gjatë vitit vijues mund ta rëndojnë edhe më shumë situatën.

Problemet janë reflektuar edhe në auditimin financiar. Nga dhjetë ndërmarrjet e audituara, pesë morën opinion të kundërt: Trepça, KRU “Hidrodrini”, KRM “Uniteti”, KRM “Pastërtia” dhe NPL “Stacioni i Autobusëve” në Prishtinë. Pesë të tjerat morën opinion të kualifikuar. ZKA thotë se kjo pasqyron gabime materiale dhe mangësi të theksuara në pasqyrat financiare. /Kujdestari.info/