Vetëm pak ditë pasi mori detyrën si kryetar i Komunës së Fushë Kosovës, Valon Prebreza vendosi të “dalë në terren”, duke dërguar stafin komunal për inspektim të disa punimeve. Përmes një komunikate për media, Komuna njoftoi se kishte ndalur punimet në ndërtimin e rrugës kryesore të qytetit, “Dardania”, një projekt që kishte nisur pak para fushatës zgjedhore, shkruan Kujdestari.info.
Në njoftimin e publikuar më 23 dhjetor, Komuna e Fushë Kosovës sqaronte se Drejtoria e Infrastrukturës kishte realizuar një inspektim në kuadër të kontratës “Rregullimi i Rrugës Dardania në Fushë Kosovë”, projekt ky i planifikuar si dyvjeçar. Sipas komunikatës, gjatë inspektimit janë kryer hapje kontrolluese për të verifikuar pozicionin, nivelin dhe përputhshmërinë teknike të instalimeve nëntokësore me projektin dhe paramasat, ndërsa ndalja e përkohshme e punimeve është arsyetuar me “kushtet sezonale” dhe periudhën e festave.

Por përtej formulimeve teknike dhe justifikimeve standarde, Komuna nuk ka dhënë asnjë përgjigje konkrete për çështjet thelbësore.
Kujdestari.info i ka drejtuar Komunës pyetje të qarta dhe të drejtpërdrejta: çfarë është konstatuar konkretisht nga inspektimi në terren? A është vërtetuar se punimet e deritanishme janë realizuar në përputhje me kontratën dhe projektin? Dhe, kur pritet të rifillojnë punimet në këtë pjesë të rrugës?
Për këto pyetje, Komuna e Fushë Kosovës ka zgjedhur heshtjen totale. Asnjë përgjigje, asnjë sqarim publik, asnjë përpjekje për transparencë një praktikë që nuk përputhet me premtimet për qeverisje të hapur dhe llogaridhënie, veçanërisht në ditët e para të mandatit të një kryetari të ri.

Ndërkohë që pyetjet e mediave mbeten pa përgjigje, Komuna ka gjetur kohë që dje të njoftojë rifillimin e punimeve në rrugën “Dardania”. Në një tjetër komunikatë, Drejtoria e Infrastrukturës u bën thirrje banorëve dhe bizneseve përgjatë kësaj rruge që të lirojnë hapësirat dhe të largojnë automjetet, në mënyrë që punimet të zhvillohen “sipas planifikimit”.

Megjithatë, mbetet e paqartë nëse inspektimi i paralajmëruar ka nxjerrë parregullsi, nëse punimet janë konfirmuar si të rregullta, apo nëse ndalja e tyre ishte thjesht një vendim administrativ pa shpjegim substancial.
Kontrata për “Rregullimin e rrugës Dardania në Fushë Kosovë” është nënshkruar në fund të muajit shtator 2025 ndërmjet Komunës dhe grupit të kompanive “IBRAHIM KURRUMELI B.I.” dhe “Benita Company”, në vlerë prej 575 mijë euro. Kontrata ka validitet 16 muaj dhe përfshin asfaltimin e rrugës, ndërtimin e trotuareve, vendosjen e ndriçimit publik, sinjalizimin rrugor dhe punë të tjera përcjellëse. /Kujdestari.info/