E shtunë, 13 Dhjetor, 2025

Muja i VV-së deklaron se importi i energjisë elektrike nga Serbia është më pak se 1%

Ndaj

Ish deputeti i Vetëvendosjes, Armend Muja, përmes një konference për media, ka thënë se importi i energjisë elektrike nga Serbia gjatë vitit 2025 është më pak se 1%.

Muja para gazetarëve tha se pretendimet që me 28 nëntor Kosova ka importuar energji elektrike nga Serbia, janë të pavërteta.

Ai theksoi se deri para ardhjes së Vetëvendosjes në pushtet, Kosova importonte energji nga Serbia, përmes kontratave të nënshkruara me kompanitë si NOA Energy dhe EFT, ndërsa aktualisht, sipas tij, Kosova importon energji elektrike nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Danimarka.

“Importi i energjisë elektrike nga Serbia ka qenë prevalent. Furnitorët nga Serbia kanë qenë dominues në tregun e Kosovës deri në kohën kur ne kemi ardhur në pushtet. Padyshim, qoftë përmes kontratave direkte që i kanë nënshkruar akterët kryesorë të KEK-ut, dhe pastaj nga viti 2020 e këtej, fillimisht Sllovenia dhe së fundmi në tre-katër vitet e fundit është Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut dhe Danimarka, që përbëjnë 94-95% të të gjithë importit të energjisë elektrike” – ka thënë Muja.

“Pra vendi nga po buron energjia elektrike të cilën konsumatorët e Kosovës po e përdorin është Republika e Shqipërisë, Maqedonia e Veriut dhe Danimarka. Pjesëmarrja e Serbisë në tregun gjatë importit të energjisë elektrike gjatë vitit 2025 është më pak se 1%. Importi i rrymës nga Serbia përbën më pak se 1%”- tha ai.

Tutje, Muja ka shtuar se hera e parë kur kompania NOA Energy ka importuar energji elektrike në Kosovë ka qenë në vitin 2008, pas një kontrate të nënshkruar me KOSTT-in.

“Ju keni dëgjuar për NOA Energy. E mirëpres çfarëdo hetimi dhe i bëj thirrje Prokurorisë Speciale që t’i shkojë deri në fund se kush e solli NOA-n në Kosovë. Asnjë zyrtar i VV-së nuk ka lidhje me NOA Energy. Kjo kompani fillimisht është ardhë në Kosovë përmes KOSTT-it, të cilët kanë nënshkruar një kontratë për mbulimin e humbjeve në veri me NOA Energy. E para kontratë është nënshkruar në janar 2018” – deklaroi Muja.

“Subjekti tjetër është EFT-ja. Keni parasysh se janë dy kompani që ndërlidhen me Vuk Hamovic. Kush i nënshkroi kontratat me Vuk Hamovic? Kontratat e para me të janë nënshkruar në 2008 dhe vlera totale deri në vitin 2013 është në vlerë 141 milionë euro. Pra 141 milionë euro përmes kontratave njëburimore është përzgjedhur Vuk Hamovic” – ka thënë ndër të tjera Muja.

Ditë më parë, anëtarja e LDK-së, Janina Ymeri, ndër të tjera pretendoi se Kosova po importon energji elektrike e cila po bartet nga kompania me pronarin serb, Vuk Hamovic.

Ajo ka kërkuar suspendimin e licencës së NOA Energy dhe të EFT nga ana e ZRRE-së, për shkak të dyshimeve për abuzim të licencës.

Lexo më shumë

Të tjera