Tenderi i Komunës së Drenasit për ndërtimin e fushave sportive në Komoran, Korreticë të Epërme dhe Arllat po vazhdon të endet nëpër procedura ankimore prej muajsh, shkruan Kujdestari.info.
Që nga pranvera, i njëjti aktivitet i prokurimit është bërë disa herë objekt i procedurave në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP). Tash, një raport i ri i ekspertit shqyrtues ka vlerësuar se një pjesë e pretendimeve të operatorit ankues janë të bazuara dhe ka rekomanduar që tenderi të kthehet në rivlerësim. DOKUMENTI
Bëhet fjalë për aktivitetin e prokurimit “Ndërtimi i fushave sportive Komoran, Korreticë e Epërme dhe Arllat- projekt dyvjeçar”, me numër 611-26-1738-5-2-1. Ankesa e fundit është parashtruar nga operatori ekonomik “Treing” SH.P.K., ndërsa raporti i ekspertit shqyrtues është dorëzuar më 13 shtator 2026.
Në ankesë janë ngritur një varg pretendimesh: nga trajtimi i pabarabartë i operatorëve ekonomikë dhe aplikimi i kërkesave që, sipas ankuesit, nuk ishin përcaktuar në Dosjen e Tenderit, deri te licencat e stafit profesional, dyshimet për konflikt potencial interesi dhe mospërputhjet e pretenduara ndërmjet nënshkrimeve në dokumentacionin e operatorit të rekomanduar.
Eksperti nuk i ka gjetur të bazuara të gjitha pretendimet, por në dy prej tyre ka konstatuar çështje që duhet të rivlerësohen nga Komuna.
Një prej pikave kryesore lidhet me pozitën e menaxherit të projektit. Komuna kishte kërkuar që personi i propozuar të ishte inxhinier i diplomuar ose master i ndërtimtarisë, drejtimi konstruktiv, me minimum gjashtë vjet përvojë pune pas diplomimit.
Mirëpo, si dëshmi dokumentare, Dosja e Tenderit kishte përcaktuar kontratën e punës ose parakontratën për angazhim në projekt. Sipas ekspertit, CV-ja, referencat profesionale apo vërtetimet e punëdhënësve nuk ishin kërkuar shprehimisht si dokumente obligative për këtë pozitë.
Eksperti ka vlerësuar se kërkesa për gjashtë vjet përvojë mbetet kriter që duhet të përmbushet dhe verifikohet, por mungesa e CV-së apo e referencave profesionale nuk mund të trajtohej automatikisht si arsye për eliminim, përderisa këto dokumente nuk ishin përcaktuar si dëshmi obligative në Dosjen e Tenderit.
Nëse Komuna kishte nevojë të verifikonte përvojën, sipas ekspertit, ajo kishte mundësinë të kërkonte sqarim ose plotësim të dokumentacionit, pa lejuar ndryshimin material të tenderit. Për këtë arsye, pretendimi i parë është vlerësuar i bazuar.
Dy licenca dhe standardi i njëjtë i vlerësimit
Çështja e dytë që ka rezultuar problematike lidhet me pozitën e teknikut të arkitekturës.
Ankuesi kishte argumentuar se kandidati i tij, Hamdi Qorri, posedonte kualifikim në fushën e arkitekturës dhe Licencën A, nr. A-0830, si Arkitekt i Licencuar. Në anën tjetër, dokumentacioni i Endrit Berishës përmbante licencë A2-3 në fushën e trashëgimisë kulturore, për konservim/restaurim, ku ai identifikohej si teknik i ndërtimtarisë.
Eksperti ka konstatuar se Dosja e Tenderit kishte kërkuar një teknik të arkitekturës të certifikuar apo licencuar për punë ndërtimore, por nuk kishte përcaktuar kategori apo emërtim të posaçëm të licencës.
Pikërisht këtu eksperti ka kërkuar që Komuna të zbatojë të njëjtin standard interpretimi për të dy operatorët ekonomikë, duke iu referuar parimit të trajtimit të barabartë, jodiskriminues dhe transparent.
Për këtë arsye, pretendimi i dytë është vlerësuar pjesërisht i bazuar, ndërsa çështja duhet të rivlerësohet duke përcaktuar me standard të njëjtë relevancën dhe vlefshmërinë e secilës licencë në raport me kërkesat konkrete të tenderit.
U ngritën edhe dyshime për konflikt interesi
Një tjetër pjesë e ankesës lidhej me Kushtrim Berishën. Ankuesi pretendonte se ai kishte qenë i angazhuar si ekspert i jashtëm në Drejtorinë e Infrastrukturës të Komunës së Drenasit dhe paraqiste disa lidhje profesionale mes tij dhe personave të angazhuar nga operatori i rekomanduar.
Ankuesi kërkoi që të verifikohej periudha dhe baza e angazhimit të Berishës në Komunë, detyrat e tij dhe nëse ai kishte marrë pjesë në projektim, paramasë, specifikime, përcaktim kriteresh, sqarime, këshillim apo vlerësim të këtij aktiviteti.
Megjithatë, eksperti e ka vlerësuar këtë pretendim si të pabazuar.
Sipas raportit, lidhjet profesionale të paraqitura nga ankuesi dhe fakti se dokumentacioni i një personi ishte noterizuar me kërkesë të Kushtrim Berishës nuk dëshmojnë vetvetiu se ai kishte qenë i përfshirë në përgatitjen, vlerësimin apo vendimmarrjen në këtë aktivitet të prokurimit. Eksperti ka vlerësuar se nuk ishin paraqitur prova të mjaftueshme që do ta lidhnin atë me ushtrimin e një detyre zyrtare apo me ndikim në procedurën konkrete.
Në ankesë është ngritur edhe çështja e dy nënshkrimeve të Jeton Kryeziut, të cilat ankuesi pretendonte se dallonin vizualisht në CV dhe në Kontratën në Vepër.
Ankuesi kishte kërkuar që të siguroheshin dhe verifikoheshin dokumentet origjinale, të merrej konfirmimi i personit për autorësinë e nënshkrimeve dhe, nëse ishte e nevojshme, të bëhej edhe ekspertizë profesionale.
Edhe këtë pretendim eksperti e ka shpallur të pabazuar. Në raport thuhet se vetëm dallimi grafik ndërmjet dy nënshkrimeve nuk është i mjaftueshëm për të konstatuar se njëri prej tyre nuk është vendosur nga personi përkatës. Sipas ekspertit, ankuesi nuk kishte paraqitur dëshmi konkrete apo ekspertizë që do të vërtetonte se nënshkrimi në CV nuk i përkiste Jeton Kryeziut.
Përfundimi i ekspertizës, megjithatë, e kthen procedurën sërish te vlerësimi i ofertave.
Eksperti shqyrtues ka konstatuar se ankesa është pjesërisht e bazuar dhe ka rekomanduar që aktiviteti i prokurimit të kthehet në rivlerësim.
Megjithatë, rekomandimi i ekspertit shqyrtues nuk paraqet vendimin përfundimtar për këtë rast. Fjalën përfundimtare për ankesën dhe fatin e këtij aktiviteti të prokurimit pritet ta japë Paneli Shqyrtues i OSHP-së, i cili do të vendosë nëse do ta aprovojë rekomandimin e ekspertit për kthimin e tenderit në rivlerësim. /Kujdestari.info/