Ministria e Punëve të Brendshme ka hapur procedurë për shitjen dhe asgjësimin e targave të vjetra të regjistrimit të automjeteve, ku në listën e aseteve figurojnë mbi 82 mijë kilogramë targa alumini, shkruan Kujdestari.info.
Sipas dokumenteve të publikuara nga MPB-ja, sasia e parashikuar e targave të vjetra është 82,609 kilogramë, apo rreth 82.6 tonë për 124 mijë euro.
Targat janë përfshirë në një procedurë të shitjes përmes ofertave publike të mbyllura, ndërsa në dokumentacionin e tenderit ato përshkruhen si “targa alumini të automjeteve”. Çmimi nuk është përcaktuar paraprakisht në dokumentin e ofertimit, pasi kontrata do t’i jepet ofertuesit me çmimin më të lartë.
MPB-ja ka përcaktuar se targat shiten në kushtet “siç janë, ku janë”, ndërsa pas shitjes autoriteti kontraktues nuk do të ketë përgjegjësi të mëtejshme për to.
Për pjesëmarrje në procedurë, operatorët ekonomikë duhet të plotësojnë disa kushte, përfshirë certifikatën e regjistrimit të biznesit dhe licencën për menaxhimin e mbeturinave. Dokumentacioni kërkon gjithashtu që operatori të posedojë pajisje për grirjen e materialit.
Targat mund të inspektohen në depon e MPB-së, në ndërtesën e ish-Rilindjes në Prishtinë. Sipas njoftimit, inspektimi ishte paraparë për 1 tetor 2026, nga ora 10:00, ndërsa ofertat duhet të dorëzohen jo më vonë se 12 tetor 2026, në orën 13:30.
Procedura mban numrin e referencës 214-26-001-SH, ndërsa njoftimi është përgatitur më 24 shtator 2026.
Nëse e gjithë sasia prej 82,609 kilogramësh do të shitej si një lot i vetëm, bëhet fjalë për një material prej më shumë se 82 tonësh, i cili do t’i nënshtrohet ofertimit mes operatorëve të interesuar. /Kujdestari.info/