E enjte, 5 Mars, 2026

Monitorim pa vendimmarrje: Autoriteti i Konkurrencës nis mbikëqyrjen e tregut të karburanteve pa Komision funksional

Ndaj

Autoriteti i Konkurrencës ka njoftuar se ka nisur monitorimin e tregut të karburanteve në Kosovë, me fokus të veçantë tek çmimet e naftës dhe benzinës, si në tregtinë me shumicë ashtu edhe në atë me pakicë. Në njoftim flitet për mbrojtje nga marrëveshjet e ndaluara, abuzimin me pozitën dominuese dhe praktikat e bashkërenduara që mund të çojnë në rritje artificiale të çmimeve. Megjithatë, ky proces nis në një moment kur vetë Autoriteti nuk ka kapacitet ligjor për të hapur hetime formale dhe për të marrë vendime, për shkak se Komisioni, organi vendimmarrës nuk është funksional, shkruan Kujdestari.info.

Përtej gjuhës standarde institucionale dhe thirrjeve për “konkurrencë të lirë e të ndershme”, mbetet e paqartë vlera reale e këtij monitorimi, në kushtet kur Autoriteti aktualisht nuk ka kapacitet ligjor për të hapur hetim formal dhe për të marrë vendime.

Vetë Autoriteti, në një përgjigje të mëhershme lidhur me dyshimet për kurdisje tenderësh në Korporata Energjetike e Kosovës, ka pranuar se nuk ka mundur të hapë hetim formal për shkak se Komisioni, organi vendimmarrës nuk është funksional.

Autoriteti i Konkurrencës hap hetim për 800 tenderë të KEK-ut, mbi 200 milionë euro në lojë

Sipas Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës (neni 27, paragrafi 1), vendimmarrja kërkon së paku tre anëtarë aktivë të Komisionit. Ky kuorum aktualisht nuk ekziston, pasi dy anëtarë kanë dhënë dorëheqje.

Në të njëjtën logjikë funksionon edhe monitorimi i tregut të karburanteve. Edhe nëse gjatë këtij procesi evidentohen elemente të marrëveshjeve të ndaluara apo bashkërendim çmimesh, Autoriteti nuk ka aktualisht bazë ligjore për të nisur procedurë hetimore dhe për të shqiptuar masa ndëshkuese.

Çfarë nënkupton “monitorimi” sipas mandatit ligjor?

Në kuptimin ligjor, monitorimi i tregut nga Autoriteti i Konkurrencës përfshin mbledhjen dhe analizimin e të dhënave mbi sjelljen e ndërmarrjeve në treg, vlerësimin e lëvizjeve të çmimeve, strukturës së tregut dhe identifikimin e indikatorëve të mundshëm të marrëveshjeve të ndaluara, bashkërendimit të çmimeve apo abuzimit me pozitën dominuese. Ky proces është pjesë e funksionit mbikëqyrës të Autoritetit dhe synon të verifikojë nëse operatorët ekonomikë veprojnë në përputhje me parimet e konkurrencës së lirë dhe të ndershme.

Në raste të tilla, monitorimi shërben si fazë paraprake vlerësimi, e cila mund të çojë në inicimin e procedurës hetimore formale, nëse evidentohen dyshime të bazuara për shkelje të ligjit. Megjithatë, hapja e një hetimi dhe marrja e masave ndëshkuese kërkon vendim të Komisionit, si organ vendimmarrës i Autoritetit.

Në mungesë të kuorumit ligjor për vendimmarrje, funksioni i monitorimit mbetet i kufizuar në aspektin analitik dhe vëzhgues, pa mundësi procedimi të mëtejmë drejt hetimit formal dhe shqyrtimit sanksionues.

Koordinimi me institucione që nuk sanksionojnë konkurrencën

Në njoftim të AKK-së thuhet se monitorimi po bëhet në koordinim me Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) dhe Doganën.

Megjithatë, asnjë nga këto institucione nuk ka mandat për të konstatuar dhe ndëshkuar marrëveshje të ndaluara apo abuzim me pozitën dominuese në treg. Ministria mund të ndërhyjë vetëm në raste të tejkalimit të marzhave të përcaktuara me vendime administrative, ATK-ja merret me çështje fiskale, ndërsa Dogana me kontrollin e importeve dhe akcizave.

Pra, edhe në këtë bashkërendim institucional, mungon elementi kyç, organi vendimmarrës që konstaton shkeljen e ligjit për konkurrencë dhe vendos masa konkrete. /Kujdestari.info/

Lexo më shumë

Të tjera