E mërkurë, 11 Mars, 2026

Model që sapo ka dalë në treg: iPhone 17 Pro Max shfaqet në ankandin e Doganës

Ndaj

Dogana e Kosovës ka nxjerrë në ankand një sasi të konsiderueshme mallrash të konfiskuara, të cilat përfshijnë produkte nga kategori të ndryshme, nga tekstili dhe pajisjet shtëpiake, deri te pajisjet elektronike dhe telefonat e mençur. Sipas dokumentit zyrtar të publikuar nga Dogana, vlera e përgjithshme e mallrave të ofruara për shitje arrin në rreth 138 mijë euro, ndërsa në ankand mund të marrin pjesë vetëm persona juridikë, shkruan Kujdestari.info.

Në mesin e mijëra artikujve të konfiskuar që Dogana e Kosovës ka nxjerrë në ankand, bie në sy edhe një produkt i pazakontë për një listë të tillë iPhone 17 Pro Max. Bëhet fjalë për një model telefoni shumë të ri në tregun global, ndërsa në dokumentin e ankandit figurojnë katër pajisje të këtij lloji, të shënuara me numra IMEI përkatës.

Zakonisht në lista të tilla përfundojnë mallra të sekuestruara në kufi apo produkte të importuara pa procedura doganore.

Në listën e mallrave bie në sy një shumëllojshmëri e madhe artikujsh. Mes tyre gjenden mijëra rroba të konfiskuara, përfshirë këmisha për të rritur të markave të ndryshme, pantollona, jelekë dhe bluza, si dhe veshje sportive dhe veshje për fëmijë. Vetëm në disa kategori numri i artikujve shkon në disa mijëra copë, çka sugjeron se bëhet fjalë për sasi të mëdha mallrash të sekuestruara, kryesisht në sektorin e tekstilit. (DOKUMENT)

Përveç rrobave, në ankand janë përfshirë edhe produkte të tjera të ndryshme, si 26 mijë çakmakë xhepi, pajisje kuzhine, sete pjatash, tenxhere, si dhe materiale të ndryshme për automjete dhe industrinë. Në listë gjenden edhe bateri industriale për pirunjera, vajra lubrifikues, pjesë motorike për automjete, si dhe pajisje ndriçimi LED.

Një pjesë interesante e ankandit lidhet edhe me pajisjet elektronike. Në mesin e tyre janë përfshirë kompjuterë të përdorur, laptopë të markave të ndryshme, iPad, kamera digjitale Canon dhe dhjetëra telefona smart të përdorur ose të dëmtuar. Gjithashtu në listë figurojnë edhe printerë termal dhe lexues barkodi që zakonisht përdoren në biznese dhe sisteme të arkëtimit.

Lista e mallrave përfshin gjithashtu edhe mjete transporti dhe pajisje të tjera, si biçikleta elektrike, trotinet elektrik Xiaomi, pjesë të ndryshme për automjete, si dhe pajisje industriale dhe bujqësore, duke treguar se mallrat e konfiskuara vijnë nga raste të ndryshme të ndalimit ose sekuestrimit nga autoritetet doganore.

Sipas njoftimit të Doganës së Kosovës, mallrat janë ofruar për shitje përmes procedurës së ftesës për ofertë, ndërsa kompanitë e interesuara duhet të paraqesin ofertat e tyre dhe dokumentet përkatëse për të marrë pjesë në ankand. Mallrat janë ekspozuar për inspektim paraprak në depo në Mitrovicë, ndërsa fitues shpallet ofertuesi që ofron çmimin më të lartë.

Ky ankand është pjesë e procedurave të rregullta të Doganës së Kosovës për administrimin dhe shitjen e mallrave të ndaluara ose të konfiskuara, të cilat pas përfundimit të procedurave ligjore nxirren në shitje përmes ankandeve publike. /Kujdestari.info/

Lexo më shumë

Të tjera