Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka realizuar fundi një tender me përshkrim: “Angazhimi i stafit për nevoja të MKRS-së dhe institucioneve vartëse. Megjithatë, nga përshkrimi i detyrave dhe konteksti i tenderit lindin dyshime serioze se MKRS-ja po shkel ligjin dhe po përdor procedura jo të përshtatshme për angazhimin e personelit, shkruan Kujdestari.info.
Sipas të dhënave të publikuara në platformën online të prokurimit, MKRS ka hapur tender për angazhimin e konsulentëve profesionalë, duke shpërblyer kandidatë me kontrata njëvjeçare, për nevoja të ndryshme të ministrisë dhe institucioneve vartëse të saj.
Ky model rekrutimi, tashmë po kthehet në trend institucional, në vend të punësimeve të rregullta dhe afatgjata.
Kujdestari.info ka siguruar listën e plotë të kandidatëve që kanë fituar kontratat njëvjeçare si konsulentë, si dhe listën e pagesave për periudhën njëvjeçare, të cilat do të mbulohen nga buxheti i shtetit.
Sipas dosjes së tenderit kaq do të paguhen konsulentët e ministrisë për një vit.



Së pari, duhet kihet parasysh se në Republikën e Kosovës ekziston Ligji Nr. 03/L‑149 për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, i cili rregullon statusin e nëpunësve civilë, procedurat për pranimin, emërimin, avancimin në karrierë, detyrimet dhe të drejtat e tyre.
Ligji parasheh që pranimi i nëpunësve civilë bëhet me konkurse publike, në bazë të meritës dhe në mënyrë transparente.
Së dyti, në fushën e prokurimit publik, ekziston Rregullorja Nr.001/2022 për Prokurimin Publik, e cila saktëson dispozita për procedurat e prokurimit, duke përfshirë edhe të shërbimeve të veçanta.
Kështu, sipas rregullores, shërbimet e veçanta mund të kontraktohen vetëm në raste kur ato nuk mund të sigurohen përmes procedurave të rregullta të rekrutimit sipas ligjit të shërbimit civil, dhe kur bëhet fjalë për profesione të veçanta që nuk mund të mbulohen nga stafi ekzistues i institucionit.
Çfarë thotë rregullorja për “shërbimet e veçanta”?
Sipas nenit 57 të Rregullores Nr. 001/2022 për Prokurimin Publik, institucionet mund të kontraktojnë “shërbime të veçanta” vetëm në dy raste:
- Kur ato nuk mund të sigurohen përmes procedurave të rregullta të rekrutimit sipas Ligjit për Zyrtarët Publik; dhe
- Kur bëhet fjalë për profesione të veçanta, që nuk mund të mbulohen me stafin ekzistues.
Por në tenderin e MKRS-së, asnjë nga këto kushte nuk është i plotësuar. As menaxhimi i rrjeteve sociale, as shitja e biletave, as pastrimi i hapësirave kulturore nuk përbëjnë “shërbime të veçanta” në kuptimin e ligjit. Përkundrazi, ato janë detyra që kryhen çdo ditë nga punonjës të rregullt të institucioneve publike.
Vetë Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) ka paralajmëruar më parë për abuzimin me këtë kategori, duke theksuar se përdorimi i saj për punësime të përkohshme apo për plotësim të vendeve të punës është i kundërligjshëm. Në një reagim të vitit 2023, KRPP pati konstatuar se “klasifikimi i aktiviteteve të përhershme si ‘shërbime të veçanta’ është keqpërdorim i dispozitave të nenit 57”. /Kujdestari.info/