Qyteti i Mitrovicës vazhdon të jetë pa ujë si pasojë e turbullirës në kanalet e ujit të pijës, ka njoftuar Kompania Rajonale Ujësjellësi “Mitrovica”, raporton Kujdestari.info.
Sipas kësaj kompanie, aktualisht është e pamundur që të bëhet trajtimi i ujit sipas standardeve të sigurisë dhe cilësisë të ujit të pijës.
Njoftimi i plotë i KRU Mitrovica:
NJOFTIM PËR PUBLIKUN
Të nderuar qytetarë,
Ju njoftojmë se, si pasojë e rritjes së nivelit të lartë të turbiditetit (turbullirës) në burimet e ujit, është bërë ndërprerja e përkohshme e operimit të Impiantit për Trajtimin e Ujit të Pijes.
Këto kushte teknike e bëjnë të pamundur trajtimin dhe shpërndarjen e ujit sipas standardeve të sigurisë dhe cilësisë së ujit të pijes. Ekipet tona teknike janë në monitorim të vazhdueshëm të situatës dhe do të rifillojnë operimin e impiantit menjëherë pas normalizimit të nivelit të turbiditetit.
KRU “Mitrovica” Sh.A. do t’ju mbajë të informuar në kohë reale për çdo zhvillim apo risi lidhur me gjendjen e furnizimit me ujë.
Ju falënderojmë për mirëkuptimin.