Përfaqësues të misionit të Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë vizituar Kosovën, me ç’rast kanë mbajtur një konferencë të përbashkët me gazetarë, së bashku me ministrin e Financave, Hekuran Murati, dhe guvernatorin e Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, Ahmet Ismaili.
David Amaglobeli, udhëheqës i këtij misioni, tha se për makroekonominë, ekonomia e Kosovës ka treguar reziliencë (aftësia e një shteti ose biznesi për t’i përballuar krizat financiare), por që pasiguria politike ka pasur rolin e vet. Kjo ka bërë ngadalësim në rritje ekonomike, duke përmendur edhe inflacionin si faktor ndikues.
“Parashikojmë se rritja ekonomike do të rritet në 3.8%, nga 3.4% e vlerësuar për 2025. Kosova ka ndërtuar një historik të mirë të disiplinës fiskale, me një deficit të ulët dhe borxh publik të ulët”, tha Amaglobeli, duke shtuar rekomandimet.
Ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se pavarësisht situatës politike, kanë rritur mbështetjen në sektorin privat e të amvisërisë, duke mundësuar që të mos ndalet, sipas tij, zhvillimi ekonomik.
“Me ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare sot, Kosova do të ketë mundësi shtesë që t’i jap një përshpejtim rritjes ekonomike dhe të mundësoj gjenerim të aktivitetit ekonomik, vende të reja pune, por edhe paga e mirëqenie më të mirë”, tha ai.
Kurse guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili tha se nga FMN u njoh progresi në stabilitetin financiar në vend dhe avancimi i reformave brenda BQK-së.
“Këto reforma pasqyrojnë vizionin tonë të qartë për ndërtimin e sistemit financiar të qëndrueshëm, transparent dhe modern, të përafruar me standardet e BE-së. Në shumicën nga to, kontributi i FMN-së është jetik, shfrytëzoj që të shpreh mirënjohjen time publike për ta”, tha Ismaili.
Ndryshe qëllimi i mision i FMN-së, i udhëhequr nga David Amaglobeli, është të bëjë një vlerësim të zhvillimeve të fundit makroekonomike, të shqyrtojë perspektivat dhe rreziqet, dhe të diskutojë politikat ekonomike dhe prioritetet e reformave me autoritetet dhe aktorët kryesorë.
Neni IV i Marrëveshjes së FMN-së parashikon se FMN-ja zhvillon diskutime bilaterale me vendet anëtare, zakonisht çdo vit. Një ekip stafi viziton Kosovën, mbledh informacion ekonomik dhe financiar, dhe diskuton me zyrtarët për zhvillimet dhe politikat ekonomike të vendit. Pas kthimit në seli, stafi përgatit një raport, i cili shërben si bazë për diskutim nga Bordi Ekzekutiv i FMN-së.