Kuvendi Komunal i Prishtinës ka miratuar buxhetin për vitin 2026.
33 kanë votuar për e tetë kundër.
Pro kanë vatotuar, PDK, AAK, NISMA e Lista për Prishtinën. Kunder LVV-ja.
Vetëvendosja deklaroi paraprakisht se nuk do ta votonte buxhetin 2026.
Vetëvendosje thotë se nuk do ta votojë buxhetin e Prishtinës
Kuvendi Komunal i Prishtinës, në një seancë të jashtëzakonshme, pa kryetarin e saj, ka diskutuar miratimin e buxhetit për vitin fiskal 2026, ku drejtues të drejtorive komunale dhe përfaqësues të partive politike paraqitën qëndrimet e tyre për ndarjen e mjeteve financiare dhe prioritetet zhvillimore të kryeqytetit.
Drejtoresha për Financa, Valbona Makolli, ka prezantuar strukturën e buxhetit dhe ka kërkuar aprovimin e tij në tërësi, ndërsa LDK dhe PDK kanë shprehur mbështetje me theks në stabilitet dhe zhvillim, ndërkohë që Lëvizja Vetëvendosje ka deklaruar se nuk do ta votojë këtë buxhet, duke e cilësuar të papranueshëm dhe problematik në disa aspekte.
“I gjithë buxheti është i ndarë në 5 kategori ekonomike. Kategoria e pagave dhe mëditjeve për vitin fiskal 2026 janë 48.3 milionë euro për këtë kategori. Kategoria e mallrave dhe shërbimeve kap vlerën prej 32 milionë. Shpenzimet e komunale 3 milionë e gjysmë. Subvencionet dhe transferet 6.8 milionë. Investimet kapitale 60 milionë e 800 mijë. Ky buxhet është i përcaktuar në vizion e transformimit të kryeqytetit. Këto projekte janë të ndara në secilën kategori dhe janë bazuar edhe në dëgjime buxhetore. Buxheti i investimeve kapitale është i bazuar në projekte të mëdha kapitale për secilën kategori. Përveç investimeve të mëdha janë edhe shpenzimet operative të cilat direkt janë të përfshira në jetën e qytetarëve. Kërkoj aprovimin e këtij buxheti në tërësi”, tha Makolli.
Gëzim Sveçla nga Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se subjekti i tij politik nuk do ta votojë buxhetin, duke vlerësuar se Prishtina po ngec dhe se rritja e buxhetit po paraqitet gabimisht si sukses qeverisës komunal.
Ai kritikoi PDK-në duke thënë se ky buxhet më shumë i shërben PDK-së se sa vetë LDK-së.
“Po na kërkohet t’i votojmë 150 milionë euro pa pikë llogaridhënie… Sa i përket përmbajtjes së buxhetit, është alarmante se tri projekte kryesore janë projekte me probleme ligjore dhe që janë subjekt trajtimi nga organet e drejtësisë. Po flasim për Sheshin “Xhorxh Bush”, Lidhjen e Arbërisë me Qendrën dhe Tunelin në rrugën “Agim Ramadani”, tha ai.
Por çfarë parashikon buxheti për vitin 2026, të përgatitur nga ekzekutivi i kryesuar nga Përparim Rama? Kujdestari.info sjell detajet:
Shpenzimet kapitale në këtë draft-buxhet janë parashikuar në vlerë prej 53,276,992 euro. Ajo që bie në sy është se e gjithë kategoria e shpenzimeve kapitale është përsëritur në masë të madhe për projektet e njëjta të vitit 2025.
Psh, disa nga projktet e njëta janë:
Vazhdimi i ndërtimit të kolektorit në Kalabri
Ndërtimi i rrugës “Abedin Dino” në Kolovicë / Sofali-Kolovicë faza II
Ndërtimi i rrugëve në lagjen “Arbëria e Re”
Ndërtimi i rrugëve në Siqevë, Sharban dhe zgjerimi i rrjetit të kanalizimit
Ndërtimi i rrugëve në lagjen “Hajvalia”
Ndërtimi i rrugëve në lagjen “Kodra e Trimave”
Ndërtimi i rrugëve në fshatin Mramor
Ndërtimi i krahëve të rrugës “Muharrem Fejza”
Rruga “A”, kolektori dhe rruga
Zgjerimi dhe rregullimi i trasesë rrugore, faza 1, Llukar – Makovc
Ndërtimi i rrugëve në lagjen “Taslixhe”: rr. “Rexhep Shema” dhe “Naser Hajrizi”
Ndërtimi i rrugës “Smajl Hajdari”-Bërnicë -Milec
Ndërtimi i rrugëve te Vreshtat, që lidhet me rrugën “Xhavit Ahmeti”
Ndërtimi i sheshit “Xhorxh Bush”
Ndërtimi i rrethojave të varrezave të komunës së Prishtinës
Ridizajnimi dhe ndërtimi i fontanave
Ndërtimi i parkut në Hajvali
Ndërtimi i parkut Bregu i Diellit
Ndërtimi i parkut në lagjen “Kalabria”, faza IV
Ndërtimi i parkut në rrugën “Muharrem Fejza”
Ndërtimi i parkut sportiv dhe këndeve të lodrave në lagjen V Prugoc
Ndërtimi i sallës koncertale
Ndërtimi i thertores publike dhe Tregu i kafshëve në Prishtinë
Ndërtimi i Spitalit të Prishtinës
Ndërtimi i Liceut Artistik, etj.
Shpenzimet kapitale dhe sektoriale tregojnë se prioritet kryesor mbetet investimi në infrastrukturë, shëndetësi, arsimin dhe zhvillimin e hapësirave publike.
Shpenzimet kapitale për vitin 2026 arrijnë në mbi 53 milionë euro, ku pjesa më e madhe shkon për Drejtorinë e Investimeve Kapitale dhe Menaxhimit të Kontratave (rreth 29 milionë euro). Projekti më i madh është ndërtimi i rrugëve dhe shesheve kryesore, si sheshi “Xhorxh Bush”, ishulli urban Arbëri-Pallati i Rinisë, rrugët lidhëse si “Abedin Dino” faza II, kolektorët e kanalizimeve dhe rrjeti i ujësjellësit. Po ashtu, vazhdon ndërtimi i rrugës “A” dhe depërtimi i saj bashkë me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Drejtoria e Sigurisë e Emergjençës kanë planifikuar investime në ndriçim publik, semaforë, rrethojat e varrezave, fasada ndërtesash, pajisje për pastrimin e qytetit dhe zgjerimin e rrjetit të kamerave në qytet, me një buxhet prej rreth 8,4 milionë eurosh të kombinuara. Parqet dhe hapësirat gjelbëruese mbulojnë 3,18 milionë euro, duke përfshirë ndërtimin e parkut në Kodrën e Trimave, Hajvali, lagjen “Kalabria” dhe zona të tjera strategjike.
Në sektorin e shëndetësisë, buxheti total është 16,47 milionë euro, ku pjesa më e madhe (10,7 milionë euro) dedikohet për paga dhe mëditje të stafit shëndetësor. Një pjesë e konsiderueshme shkon për furnizime mjekësore, barna, renovime dhe ndërtimin e Spitalit të Prishtinës.
Arsimi ka një buxhet prej mbi 41 milionë euro. Paga dhe mëditje për mësuesit dhe stafin arsimor përbëjnë 29,3 milionë euro, ndërsa rreth 6 milionë euro dedikohen për ndërtimin dhe renovimin e shkollave dhe çerdheve, furnizim me inventar shkollor, digjitalizim të proceseve edukative, pajisje laboratorike, dhe zhvillimin e hapësirave sportive.
Për kulturën, sportin dhe rinisë, janë planifikuar mbi 13 milionë euro investime, përfshirë Muzeun e Shtëpive-Shkolla, sallën koncertale, memorialin e Dr. Ibrahim Rugovës, fushat sportive, tribunat e stadiumeve dhe kënde lodrash.
Një pjesë tjetër e buxhetit prej 5,5 milionë eurosh është dedikuar për subvencione dhe transfere, duke përfshirë administratën, kulturën, sportin, bujqësinë dhe shërbimet sociale. /Kujdestari.info/