Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka njoftuar se ka nxjerrë vendim për ndalimin e menjëhershëm të betonimit të shtretërve të lumenjve në gjithë Kosovën.
Sipas Pacollit, ky vendim i jep fund një praktike të vjetër, të dëmshme dhe të rrezikshme.
”Kjo praktikë jo vetëm që ka shkatërruar ekosistemet tona, por ka rritur ndjeshëm rrezikun për përmbytjen e vendbanimeve dhe tokave tona. Betoni nuk është as siguri e as pastërti. Përkundrazi, ai e kthen lumin në një “pistë” ku uji merr shpejtësi marramendëse, duke u kthyer në një kërcënim serioz për pronat e qytetarëve.” – ka shkruar Pacolli në Facebook më 08.04.2026.
Pacolli vlerëson se duke e lënë shtratin e lumit natyral, “ne lejojmë tokën të “marrë frymë” dhe të thithë ujin, duke krijuar një mbrojtje natyrore e të qëndrueshme kundër vërshimeve.”
“Ky ndalim nuk cenon kontratat ekzistuese, por kërkon përshtatjen e tyre teknike me standardet mjedisore. Duhet të garantojmë që mjetet publike të shpenzohen vetëm në projekte që mbrojnë natyrën dhe rrisin sigurinë e jetës.” – ka shtuar ministrja e Mjedisit.
Ajo ka thënë se ky është zotimi i tyre për të ardhmen.
“Po mbyllim kapitullin e betonit të ftohtë për të hapur epokën e restaurimit të jetës. Lumenjtë e Kosovës do të jenë sërish pasuri e gjallë dhe krenari për gjeneratat që vijnë. T’i lëmë lumenjtë të rrjedhin lirshëm, ashtu siç i ka falur natyra!”, është shprehur Pacolli. /Kujdestari.info.