Tender

Ministrisë së Mbrojtjes i refuzohet kërkesa për diskualifikimin e kompanive që po ndërtojnë kazermën në Istog

Nga Kujdestari Media

Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) ia ka refuzuar Ministrisë së Mbrojtjes kërkesën për diskualifikimin nga prokurimi publik të konsorciumit “Lani,- AL & Agim Morina B.I & NNP CTA”, i angazhuar në ndërtimin e objektit të akomodimit, përkatësisht kazermës në Istog, shkruan Kujdestari.info.

Vendimi lidhet me aktivitetin e prokurimit me numër 217-22-4192-5-1-1, ndërsa kërkesa e Ministrisë për marrjen e masave ndaj operatorëve ekonomikë ishte bërë më 20 korrik 2026. OSHP ka vendosur që kërkesa të refuzohet si e pabazuar në dispozitën e nenit 99, paragrafi 2, të Ligjit për Prokurimin Publik.

Sipas dokumentit, Ministria e Mbrojtjes kishte pretenduar se konsorciumi nuk po e realizonte kontratën sipas kushteve të përcaktuara. Për këtë, Ministria i kishte bashkëngjitur kërkesës komunikime, raporte të mbikëqyrjes profesionale, raportin e menaxherit të kontratës dhe dokumente të tjera lidhur me ecurinë e punimeve. (DOKUMENT)

Megjithatë, OSHP ka konstatuar se Ministria nuk kishte ofruar dëshmi se kompanitë kishin paraqitur të dhëna të rreme apo dokumente të falsifikuara, element ky që lidhet me masën e diskualifikimit sipas nenit 99.2 të Ligjit për Prokurimin Publik. Në vendim thuhet se në këtë rast nuk bëhet fjalë për mashtrim apo falsifikim sipas kësaj dispozite.

Në vend të procedurës së diskualifikimit nga prokurimi publik, OSHP vlerëson se çështja mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe kompanive është mosmarrëveshje kontraktuale.

Në vendim përmendet edhe kontrata me numër 217-22-4192-5-1-1/C236, e lidhur më 4 gusht 2025. Sipas OSHP-së, palët nuk kanë arritur t’i zgjidhin në mënyrë miqësore mosmarrëveshjet që kanë pasur gjatë realizimit të saj.

Vetë kushtet e kontratës, sipas vendimit, përcaktojnë se mosmarrëveshjet që nuk zgjidhen ndërmjet palëve duhet t’i referohen Gjykatës kompetente në pajtim me ligjin në Kosovë. Për këtë arsye, OSHP ka vlerësuar se Ministria mund t’i realizojë pretendimet e saj sipas Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve pranë gjykatës kompetente.

Në fund, OSHP ka refuzuar kërkesën e Ministrisë së Mbrojtjes për diskualifikimin e konsorciumit, duke ia lënë Ministrisë të drejtën që pretendimet lidhur me mosrealizimin e kontratës t’i ndjekë përmes gjykatës. /Kujdestari.info/