Tender

Ministria synon renovimin e shtëpisë së Adem Demaçit, por tri korrigjime nuk e shpëtojnë tenderin nga pezullimi

Nga Kujdestari Media

Një tender prej 82 mijë eurosh për renovimin e shtëpisë së Adem Demaçit është përcjellë me tri korrigjime të dokumentacionit dhe, në fund, me pezullim pas kërkesave për rishqyrtim nga operatorët ekonomikë. Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka ndryshuar afatet, ka korrigjuar numrin e punëtorëve të kërkuar dhe ka ndërhyrë në kushtet e licencimit, por në dokumente vazhdojnë të figurojnë disa kritere që duken paksa tw dyshimta për përputhjen e tyre me natyrën dhe përmasat e punimeve, shkruan Kujdestari.info.

Shtëpia e Adem Demaçit, njeriut që kaloi 28 vjet në burgjet jugosllave për veprimtarinë e tij politike dhe u bë një nga figurat simbol të qëndresës shqiptare, është bërë objekt i një procedure prokurimi që, ende pa nisur punimet, ka kaluar nëpër disa ndryshime dhe është pezulluar.

Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka planifikuar të shpenzojë 82,091.35 euro për renovimin e shtëpisë së lindjes së Demaçit. Mirëpo, dokumentet e tenderit tregojnë se procedura nuk ka ecur pa pengesa.

Tri njoftime për korrigjim janë publikuar në kuadër të këtij aktiviteti të prokurimit, ndërsa më 26 tetor 2026 Ministria ka njoftuar pezullimin e tij, pasi ka pranuar kërkesa për rishqyrtim nga operatorët ekonomikë.

Në njoftimin e pezullimit nuk tregohen emrat e kompanive që kanë kërkuar rishqyrtim dhe as kriteret apo vendimet që ato i kanë kundërshtuar. Prandaj, nga dokumentacioni i disponueshëm nuk mund të përcaktohet nëse ankesat kanë të bëjnë me kushtet e kualifikimit apo me çështje të tjera të tenderit.

Megjithatë, një shqyrtim i dosjes së tenderit, njoftimit për kontratë dhe paramasës së punimeve nxjerr në pah disa kërkesa që tw diskutushme.

Tri korrigjime, nga licencat te numri i punëtorëve

Njëri prej korrigjimeve ka të bëjë me licencën profesionale B2, e cila u mundëson kompanive të kryejnë punime konservimi dhe restaurimi në objekte të trashëgimisë kulturore.

Në dokumentacionin fillestar kërkohej që operatori ekonomik të posedonte këtë licencë. Por Ministria e ka plotësuar kriterin, duke përcaktuar shprehimisht se, në rast të ofertimit nga një grup kompanish, secila prej tyre duhet ta posedojë licencën B2.

Ky ndryshim ka rëndësi për konkurrencën.

Në një konsorcium mund të bashkohen, për shembull, një kompani e specializuar në restaurimin e monumenteve dhe një kompani që merret me instalime elektrike ose hidrosanitare. Sipas formulimit të Ministrisë, edhe kompania që do të kryente vetëm instalimet duhet ta kishte licencën për restaurimin e trashëgimisë kulturore.

Kjo kërkesë wshtw paksa e dyshimt kur bëhët fjalë për proporcionalitetin e saj, veçanërisht në raport me rregullat e prokurimit që e lidhin posedimin e licencës me anëtarin e grupit që kryen punët për të cilat ajo kërkohet.

Një tjetër korrigjim lidhet me numrin e punëtorëve.

Në dokumentacionin e tenderit kishte mospërputhje: në njërën pjesë kërkoheshin së paku 10 punëtorë profesionalë dhe mbështetës, ndërsa në pjesën ku përshkruheshin dëshmitë që duhej të dorëzonte kompania figuronin 20 punëtorë.

Ministria e ka korrigjuar këtë mospërputhje, duke e përcaktuar numrin minimal në 10.

Ndryshimet kanë prekur edhe afatet. Data e dorëzimit të ofertave, fillimisht 19 tetori, është shtyrë në 26 tetor dhe më pas në 10 nëntor 2026.

Por, ndërkohë, më 26 tetor Ministria ka nxjerrë njoftimin për pezullimin e aktivitetit të prokurimit. Në dokumentet e shqyrtuara nuk ka një vendim që konfirmon heqjen e këtij pezullimi.

Pesë profile inxhinierike për një renovim prej 82 mijë eurosh

Pos korrigjimeve, ajo që bie në sy në dosjen e tenderit është lista e profesionistëve që Ministria kërkon nga kompanitë pjesëmarrëse.

Për realizimin e projektit kërkohen një inxhinier i arkitekturës, një inxhinier i ndërtimtarisë në drejtimin konstruktiv, një inxhinier hidroteknik, një inxhinier i elektroteknikës dhe një inxhinier i makinerisë.

Kërkohet gjithashtu caktimi i një menaxheri të kontratës, me kualifikim dhe përvojë të përcaktuar në dosje.

Në shikim të parë, angazhimi i profesionistëve të fushave të ndryshme nuk është i pazakontë për restaurimin e një objekti historik. Por dilema është nëse të gjitha këto profile janë të domosdoshme për punimet konkrete që Ministria ka planifikuar.

Paramasa përfshin ndërhyrje në strukturat e drurit dhe gurit, punime në kulm, dysheme, dyer e dritare, instalime elektrike dhe hidrosanitare, si dhe vendosjen e një sistemi të kamerave të sigurisë.

Për restaurimin e drurit dhe gurit, Ministria kërkon edhe konservues-restaurues të licencuar, kërkesë që lidhet drejtpërdrejt me natyrën historike të objektit.

Por një kriter tjetër është më pak i qartë, ai qw ka tw bëjë me angazhimin e detyruesh ëm të një inxhinieri të makinerisë.

Në paramasën e shqyrtuar nuk identifikohet një kapitull i veçantë për sisteme mekanike, si ngrohja qendrore, ventilimi apo klimatizimi, që do ta shpjegonte drejtpërdrejt këtë kërkesë.

Problemi lindin edhe për nivelin e kapaciteteve të kërkuara në fushën hidroteknike, kur punimet hidrosanitare të përshkruara në paramasë janë relativisht të kufizuara.

Kjo nuk nënkupton se profesionistët e këtyre fushave nuk mund të nevojiten gjatë realizimit. Por dokumentet e publikuara nuk e bëjnë të qartë pse secili profil është vendosur si kusht i detyrueshëm për kualifikimin e kompanive.

Një tjetër kusht është certifikimi ISO 9001:2015, standard ndërkombëtar për sistemin e menaxhimit të cilësisë.

Posedimi i këtij certifikimi mund të dëshmojë se një kompani ka procedura të organizuara për menaxhimin e cilësisë, por ai nuk është licencë profesionale për restaurimin e monumenteve.

Për këtë arsye, kërkesa e tij si kusht kualifikimi për një projekt të kësaj vlere ngre dyshime nëse është e domosdoshme dhe proporcionale me natyrën e kontratës.

Çfarë kërkon ligji?

Ligji për Prokurimin Publik dhe rregullat përkatëse kërkojnë që kriteret e përzgjedhjes të lidhen me objektin e kontratës dhe të jenë proporcionale me të.

Kjo do të thotë se një autoritet publik ka të drejtë të kërkojë kompani të kualifikuara, profesionistë të licencuar dhe pajisje të nevojshme, por jo të vendosë kushte të panevojshme që mund ta kufizojnë konkurrencën.

Në rastin e shtëpisë së Adem Demaçit, kërkesat për restaurues të gurit dhe drurit kanë lidhje të dukshme me punimet e parashikuara. Ndërkaq, kushti për licencën B2 të secilit anëtar të konsorciumit, kërkesa për inxhinier të makinerisë dhe disa kushte të tjera kërkojnë një arsyetim më të qartë në raport me punimet konkrete.

Adem Demaçi, i lindur më 1936 dhe i ndarë nga jeta më 2018, mbetet një nga emrat më të njohur të rezistencës politike shqiptare në ish-Jugosllavi. Për dekada, emri i tij u lidh me burgosjen politike, qëndresën dhe kërkesën për liri.

Shtëpia e tij e lindjes është pjesë e trashëgimisë kulturore që institucionet synojnë ta ruajnë për brezat e ardhshëm. /Kujdestari.info/