E mërkurë, 17 Dhjetor, 2025

Ministria e Sveçlës “ngjitet në qiell” me tender 117 mijë euro për bileta

Ndaj

Ministria e Punëve të Brendshme, e udhëhequr nga Xhelal Sveçla, ka nënshkruar një kontratë në vlerë prej 117 mijë euro për furnizim me bileta aeroplani. Tenderi është shpallur për udhëtimet zyrtare të stafit dhe delegacioneve të kësaj ministrie.

 

Ministria e Punëve të Brendshme e ka dhënë tenderin në vlerë 117 mijë euro për furnizim me bileta aeroplani për udhëtime zyrtare.

Përmes kësaj kontrate, Ministria që udhëhiqet nga Xhelal Sveçla ka blerë 261 bileta, teksa relacionet nuk janë definuar. Një biletë ka kushtuar rreth 450 euro.

Për këtë tender kanë ofertuar dy kompani me çmim identik, por në fund Ministria e ka shpërblyer me tender “AS TRAVEL CLUB ” SH.P.K”, me çmim total prej 117 mijë e 452 euro e 61 centë, shkruan Kujdestari.info.

“Furnizim me bileta aeroplani për udhëtime zyrtare për nevoja të stafit të  MPB-së’. Data e dhënies së kontratës   25.09.2025. Data e planifikuar e nënshkrimit të kontratës 29.09.2025. Numri i tenderëve të pranuar: 2 Emri dhe adresa e operatorit ekonomik, të cilit i është dhënë kontrata Emri zyrtar: ” AS TRAVEL CLUB ” SH.P.K. Vlera e përgjithshme e kontratës 117,452.61 euro”, thuhet në njoftimin e shpallur.

Kompania tjetër është eliminuar me arsyetimin se nuk i është përgjigjur një kërkese për sqarime nga ana e autoritetit kontraktues.

“Mbështetur në arsyetimin e cekur më lartë, tenderi-oferta Juaj është REFUZUAR dhe nuk kalon në vlerësimin e mëtutjeshëm. Ju informojmë së kontrata i është dhen Operatorit Ekonomik ” AS TRAVEL CLUB ” SH.P.K., Tringë Smajli 14, 10000, Prishtinë çmimi në vlerë prej 117,452.61€”, thuhet në dosje.

Kohëzgjatja e kontratës është për 36 muaj. Kontrata është dhënë me 25 shtator, teksa nënshkrimi i saj është planifikuar për sot.

Ministria ka treguar pse janë duke i blerë këto bileta. Po ashtu ka dhënë edhe sqarime se sa udhëtime do të bëhen me këto bileta.

“Qëllimi i këtij aktiviteti është që të lidhet një kontratë kornizë me një Operator ekonomik (OE) të kualifikuar i cili do të ofronte shërbimet e rezervimit dhe lëshimit të aviobiletave për udhëtimet zyrtare që do të autorizohen nga Autoriteti Kontraktues (MPB). Gjatë periudhës 3 vjeçare numri i përafërt i biletave do të jetë 261 në destinacione të ndryshme të botës. Kontrata konsiderohet e realizuar ne bazë te sasive te biletave dhe jo vlerës”.

Janë dhënë edhe disa urdhëresa për kompaninë fituese.

“Ofruesi i shërbimeve i suksesshëm duhet të rezervojë dhe të lëshojë aviobileta, duke pasur parasysh që të jenë me çmimin më të lirë të mundshme duke kombinuar rrugët e drejtpërdrejta dhe më çmime sa me te favorshme për të arritur më kosto sa më të ultë që është e mundur. Ofruesi i shërbimeve duhet të përgjigjët jo më shumë se 6 orë nga momenti i kërkesës nga AK-se në rastet kur janë kërkuar biletat në formë elektronike. Ofruesi i shërbimeve duhet të jetë në gjendje për të garantuar Shërbime 365 ditë në vit, 7 ditë në javë dhe 24 orë në ditë dhe duke ofruar emrat e personave të kontaktit, emailat dhe numrin e telefonit kjo do të jetë si kusht pas nënshkrimit të kontratës (kjo është një kërkesë e detyrueshme)”./Kujdestari.info/.

Lexo më shumë

Të tjera