Tender

Ministria e Mbrojtjes planifikon dy pika të reja karburanti për FSK-në, zbulohen lokacionet dhe kapacitetet

Nga Kujdestari Media

Ministria e Mbrojtjes po planifikon ndërtimin e dy pikave të reja të karburantit brenda kazermave të Forcës së Sigurisë së Kosovës, për të cilat ka paraparë të shpenzojë deri në 600 mijë euro.

Hulumtimi i Kujdestari.info në dokumentacionin e prokurimit zbulon se pikat e reja do të ndërtohen në Shirokë të Suharekës dhe në Gjakovë, ndërsa dokumentet tregojnë edhe kapacitetet e rezervuarëve dhe infrastrukturën që do të ndërtohet.

Por shqyrtimi i dosjes nxjerr në pah edhe disa mospërputhje. Në pjesë të projektit teknik përmendet një kazermë krejt tjetër, ajo në Istog, Ndërsa numri dhe kapaciteti i rezervuarëve në këtë dokument nuk përputhen me projektet e Suharekës dhe Gjakovës.

Një tjetër mospërputhje gjendet te kriteret financiare të tenderit. Ministria ka paraparë 250 mijë euro për lotin e Suharekës dhe 350 mijë për Gjakovën, por te qarkullimi dhe përvoja e kërkuar nga kompanitë këto shuma paraqiten në rend të kundërt.

250 mijë euro për Suharekën, 350 mijë për Gjakovën

Tenderi me numër prokurimi 217-26-4603-5-1-1 është ndarë në dy pjesë.

Për ndërtimin e pikës së karburantit në Shirokë të Suharekës janë paraparë 250 mijë euro. Prej tyre, 100 mijë euro janë planifikuar për vitin 2026 dhe 150 mijë euro për vitin 2027.

Pika e dytë do të ndërtohet në kazermën e FSK-së në Gjakovë dhe për të janë paraparë 350 mijë euro – 200 mijë gjatë vitit 2026 dhe 150 mijë të tjera gjatë vitit 2027.

Ministria e arsyeton investimin me nevojën për rritjen e operacionalitetit dhe efikasitetit të FSK-së në kryerjen e detyrave.

Sipas afateve të përcaktuara në dokumentacion, realizimi i kontratës është planifikuar nga 1 shtatori 2026 deri më 29 tetor 2027.

100 mijë litra kapacitet në Suharekë

Hulumtimi i dokumentacionit teknik tregon edhe përmasat e pikës së karburantit që do të ndërtohet në Suharekë.

Aty janë paraparë katër rezervuarë nëntokësorë, secili me kapacitet prej 25 metrash kub.

Tre prej tyre do të përdoren për naftë, ndërsa një për benzinë.

Në total, pika do të ketë kapacitet të paraparë prej 100 metrash kub, ekuivalent me rreth 100 mijë litra lëndë djegëse.

Projekti nuk përfundon vetëm me vendosjen e rezervuarëve. Parashihet ndërtimi i një shtëpize administrative, mbulesës së pompave, infrastrukturës nëntokësore, instalimeve dhe rregullimit të sipërfaqeve përreth.

Shtëpiza administrative është projektuar me përmasa 5 me 5 metra dhe lartësi 3.2 metra. Brenda saj parashihen zyra administrative, tualeti dhe garderoba për personelin.

Mbulesa mbi pompat e karburantit ndërkaq është projektuar me përmasa 9.9 me 8.4 metra.

Gjakova me rreth 150 mijë litra

Edhe më e madhe pritet të jetë pika e karburantit në Gjakovë.

Dokumentacioni parashikon gjashtë rezervuarë me kapacitet nga 25 metra kub secili.

Tre janë përcaktuar për naftë dhe një për benzinë, ndërsa për dy të tjerët në dokumentin arkitektonik përdoret termi i paqartë “korrozione”.

Nëse merret për bazë kapaciteti prej 25 metrash kub për secilin prej gjashtë rezervuarëve, kapaciteti i përgjithshëm arrin në rreth 150 mijë litra.

Rezervuarët në të dyja pikat parashihen të vendosen nën tokë dhe brenda konstruksioneve mbrojtëse prej betoni të armuar.

Tenderi për Suharekë e Gjakovë, projekti teknik përmend Istogun

Gjatë shqyrtimit të dosjes, nga Kujdestari.info ka identifikuar një mospërputhje tjetër në dokumentacionin teknik.

Tenderi përcakton qartë se dy pikat do të ndërtohen në Suharekë dhe Gjakovë.

Megjithatë, në pjesën e instalimeve makinerike shkruhet: “Projekti kryesor makinerik i stacionit për lëndë të lëngët me lokacion, Kazerma e FSK-së – Istog”.

Istogu nuk është pjesë e asnjërit prej dy loteve të këtij aktiviteti të prokurimit.

Mospërputhja nuk përfundon vetëm te emri i lokacionit.

Në të njëjtin projekt makinerik që përmend Istogun flitet për pesë rezervuarë dhe paraqiten edhe kapacitete që nuk përputhen me konfigurimin e përcaktuar në pjesët e tjera të dosjes.

Kështu, dokumentacioni i tenderit rezulton me tri konfigurime: projekti për Suharekën parashikon katër rezervuarë, ai për Gjakovën gjashtë, ndërsa projekti makinerik që mban referencën “Kazerma e FSK-së – Istog” flet për pesë.

Nga dokumentacioni nuk mund të konstatohet nëse bëhet fjalë për gabime teknike gjatë hartimit të dosjes apo nëse pjesë të projektit makinerik janë bartur nga një projekt tjetër.

250 mijë bëhen 350 mijë te kriteret për kompanitë

Një tjetër mospërputhje e identifikuar nga Kujdestari.info gjendet te kriteret ekonomike dhe profesionale që duhet t’i plotësojnë kompanitë konkurruese.

Vlera e parashikuar e Pjesës 1 -Suharekës është 250 mijë euro, ndërsa ajo e Pjesës 2- Gjakovës është 350 mijë euro.

Por te kriteri i qarkullimit financiar dokumenti përcakton të kundërtën.

Për Pjesën 1 kërkohet qarkullim prej së paku 350 mijë eurosh, ndërsa për Pjesën 2 minimumi është 250 mijë euro.

E njëjta renditje paraqitet edhe te kriteri i përvojës së kompanisë.

Operatorët duhet të dëshmojnë kontrata të përfunduara të natyrës së njëjtë ose të ngjashme gjatë tri viteve të fundit. Edhe këtu për Pjesën 1 vendoset pragu prej 350 mijë eurosh, ndërsa për Pjesën 2 ai prej 250 mijë eurosh.

Kështu, për projektin me vlerë të parashikuar 250 mijë euro kërkohet kapacitet prej 350 mijë eurosh, ndërsa për projektin më të madh, me vlerë 350 mijë euro, kriteri zbret në 250 mijë euro.

Dokumentacioni i shqyrtuar nuk jep shpjegim për këtë përmbysje.

Tre auto-miksera dhe gjashtë profile inxhinierësh

Dosja përcakton edhe një numër të konsiderueshëm pajisjesh që operatorët duhet t’i kenë në dispozicion.

Kërkohet një ekskavator prej së paku 10 tonësh, një ngarkues prej së paku 10 tonësh, një cilindër prej së paku 10 tonësh, dy kamionë prej minimum 10 tonësh, tre auto-miksera betoni dhe një pompë për shpërndarjen e betonit.

Kompania duhet të ketë gjithashtu betonierkë ose marrëveshje për furnizim me beton me një betonierkë të licencuar.

Ministria lejon që pajisjet të sigurohen edhe përmes kontratave të qirasë, çka e zbut kriterin e pronësisë. Megjithatë, mbetet për t’u sqaruar mbi çfarë përllogaritjeje teknike është përcaktuar nevoja që operatori të ketë në dispozicion pikërisht tre auto-miksera, krahas pompës së betonit dhe marrëveshjes së mundshme me betonierkë.

Kërkesa të shumta ka edhe për stafin profesional.

Për Suharekën kërkohen së paku 10 punëtorë, ndërsa për Gjakovën 15. /Kujdestari.info/