Ministria e Mbrojtjes ka vendosur të përforcojë arsenalin, por këtë herë jo me armë apo pajisje ushtarake, por me laptopë dhe kompjuterë të rinj.
Ministria e Mbrojtjes ka dhënë tender dy kompanive të teknologjisë rreth 400 mijë euro për blerjen e dhjetëra kompjuterëve dhe laptopëve për nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe vetë Ministrisë së Mbrojtjes, shkruan Kujdestari.info.

Sipas njoftimit të autoritetit Kontraktues, vlera e parashikuar për këtë tender ishte 380 mijë euro, dhe parashiheshin të bleheshin 66 laptopë dhe 300 kompjuterë bashkë me desktop.

Në këtë tender kanë aplikuar katër operatorë ekonomik, të cilët kishin cmime të ndryshme ofertuese.
Pas procedurave verifikuese, fitues janë shpallur fitues dy Operatorë Ekonomik, InterAdria dhe ARITECH, për Lotin 1, përkatësisht lotin 2, pasi kishin ofertat më të lira.

Tenderi, megjithatë, nuk i ka shpëtuar telasheve ankimore. Pas një ankese në Organin Shqyrtues të Prokurimit, aktiviteti ishte pezulluar përkohësisht, para se të vazhdohej dhe të shpalleshin fituese kompanitë InterAdria dhe ARITECH, të cilat ofruan çmimet më të ulëta përkatësisht për dy lote të ndryshme të tenderit.
“Pezullimi është bërë si rezultat i pranimit të një ankese nga një Operator Ekonomik i interesuar, e cila është paraqitur në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), me pretendimin se Autoriteti Kontraktues ka bërë shkelje në lidhje me dokumentet e tenderit”, thuhet në vendimin e AK-së për pezullimin e tenderit.
Por, pas shqyrtimin në OSHP, Autoriteti Kontraktues ka vazhduar me procedurat dhe ka shpall fituesit e këtij tenderi dy operatorët me çmimin më të lirë. /Kujdestari.info