E premte, 7 Gusht, 2026

Ministria e Kulturës pajiset me bileta mbi 10 mijë euro, ofertues i vetëm kompania që paguhej nga Vetëvendosje

Ndaj

Kontratat që përsëriten rrallëherë kalojnë pa u vënë re. Sidomos kur i njëjti operator ekonomik shfaqet fillimisht në raportet financiare të një partie politike e më pas edhe në listën e fituesve të kontratave publike të institucioneve që ajo drejton, shkuan Kujdestari.info.

Një nga këta emra është Airvoyage SH.P.K.. Në raportin financiar të Lëvizjes Vetëvendosje për vitin 2025, kompania figuron për një pagesë prej 19,770.93 euro, e realizuar për shpenzime udhëtimi të zyrtarëve të partisë.

Ndërkohë, së fundmi, e njëjta kompani është shpallur fituese e kontratës së Ministrisë së Kulturës për blerjen e biletave të avionit për nevojat e Baletit Kombëtar të Kosovës, për shfaqjet Carmina Burana në Romë të Italisë dhe Terminal në Graz të Austrisë.

Sipas njoftimit të publikuar në platformën e prokurimit publik, Airvoyage SH.P.K. fitoi kontratën në vlerë prej 10,761.67 euro, ndërsa në procedurë rezulton se kishte ofertuar vetëm një operator ekonomik, pikërisht kompania fituese.

Dokumentet e tenderit tregojnë se kontrata parashihte blerjen e 93 biletave për destinacione të ndryshme evropiane, ndërsa procedura u zhvillua me vetëm një ofertues.

Në aspektin ligjor, pjesëmarrja me një ofertues të vetëm nuk përbën shkelje, nëse procedura është zhvilluar në përputhje me Ligjin për Prokurimin Publik. Megjithatë, raste të tilla shpesh nxisin dyshime mbi nivelin e konkurrencës dhe transparencës në përdorimin e parasë publike.

Vëmendje tërheq edhe afati jashtëzakonisht i shkurtër i procedurës. Ministria e Kulturës e publikoi njoftimin për kontratë më 2 korrik 2026, ndërsa afati i fundit për dorëzimin e ofertave ishte caktuar 7 korrik 2026, duke u lënë operatorëve ekonomikë vetëm pesë ditë në dispozicion për të përgatitur dhe dorëzuar ofertat. /Kujdestari.info/

Lexo më shumë

Të tjera