Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka shpallur një tender për larje të veturave. Vlera e këtij tenderi është fiks 30 mijë euro. Me këto para do të pastrohen 21 vetura të llojeve të ndryshme.
Veturat BMW me të cilat vozitet ministrja Donika Gërvalla dhe stafi i saj, tash e tutje do të jenë më të pastra.
Përveç tyre do të pastrohen edhe disa lloje të tjera të veturave, si Peugeot, Mercedes, Shkoda e Pasat, që posedon ky institucion, e që në numër janë 21 të tilla.
Për pastrimin e tyre është shpallur një tender, vlera e të cilit kap shumën e 30 mijë eurove.
Afati për mbylljen e këtij tenderi është caktuar data 22 e këtij muaji.
“Shërbimet e autolarjes për veturat e MPJD-së Ri-Tender. Vlera e parashikuar e kontratës: 30,000.00. Afati i fundit për pranim të tenderëve / aplikacioneve: data 22.08.2025. Momentalisht ekzistojnë 21 automjete, por ekziston mundësia e larjes së automjeteve tjera me kërkesë nga Autoriteti Kontraktues”, thuhet në njoftimin e shpallur.
Tutje tregohet se ky tender është i domosdoshëm, pasi tashmë ky institucion nuk ka asnjë shërbim për larje të veturave.
“Nevoja për këtë shërbim është e madhe sepse kontrata aktuale ka skaduar dhe si aktivitet është anuluar dy herë radhazi”.
Në dosjen e tenderit është treguar se çfarë vetura posedon ky institucion dhe cilat do të dërgohen në autolarje.
“Peugeot 308. Peugeot 308. Peugeot 308. Peugeot 508. Peugeot 508 . Peugeot 508. Peugeot 508. Peugeot 508. BMW 730. BMW 730. BMË 730. Renault Traffic. Renault Traffic. Pasat. Mercedes B klas. Peugeot 508. Shkoda Superb. Shkoda Superb. Shkoda Superb. Shkoda Superb. Shkoda Superb”.
Ministria ka treguar edhe kushtet qe duhet t’i plotësoj kompania fituese.
Pastrimi i Jashtëm:
- Pastrimi dhe lustrimi i karrocerisë së automjetit.
- Pastrimi i rrotave dhe disqeve.
- Pastrimi i xhamave dhe pastrimi i pjesëve metalike të automjetit.
- Shfrytëzimi i mjeteve dhe materialeve që nuk dëmtojnë sipërfaqet dhe nuk lënë njolla.
Pastrimi i Brendshëm:
- Pastrimi i brendshëm i kabinës së automjetit (karrigeve, dyshemesë, shtrojave, tapicerive, dhe pjesëve të brendshme).
- Pastrimi i dorezave, timonit, dhe çdo aksesor tjetër të brendshëm që mund të ndikohet nga përdorimi i përditshëm.
“Shërbimi duhet të jetë i kualitetit të lartë, duke përdorur materiale të pastrimit dhe kimikate që janë të sigurta që nuk dëmtojnë siperfaqet e pastruara”.
Kompania fituese do të jetë e obliguar të sigurojë që automjetet e MPJD-së të kenë prioritet në shërbimin e autolarjes në çdo rast që kërkohet pastrimi i automjeteve.
- Larja e automjetit bëhet sipas porosis së vozitësit.
- Pas çdo larje vozitësi do ta nënshkruaj listën të cilën bashkërisht do ta hartojnë përfaqësuesit e MPJD dhe të kompanisë fitues, qe do të jetë pjesë përbërëse e kontratës.
Po ashtu, Kompania fituese do të jetë e obliguar të sigurojë që automjetet e MPJD-së të kenë prioritet në shërbimin e autolarjes në çdo rast që kërkohet pastrimi i automjeteve.
“ Orari i punës duhet të jetë non stop edhe gjatë ë vikendeve prej orës 8:00 deri në ora 20:00.Operatori ekonomik pjesëmarrës duhet te siguroi një pike për pastrimin e veturave (auto larja) të jetë në Prishtinë. Për të siguruar shërbim efikas dhe të shpejtë për AK, autolarja e ofruesit të shërbimit duhet të plotësojë kërkesat e mëposhtme: Autolarja duhet të ketë së paku dy (2) vende të dedikuara për larjen e automjeteve, për të mundësuar pastrimin e shpejtë dhe të efektshëm të automjeteve të Ministrisë”.