Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) është përballur me një ankesë zyrtare në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), pasi ka refuzuar t’i lejojë një operatori ekonomik qasje në ofertën e operatorit fitues në një procedurë tenderuese, shkruan Kujdestari.info.
Ankesuesi pretendon se me këtë veprim, Ministria po tenton të realizojë tendern “Ndërtimi i Çerdhes në Kalabri, Prishtinë” në mënyrë të kundërligjshme, duke fshehur të dhëna thelbësore që mund të dëshmojnë nëse oferta fituese i ka përmbushur ose jo kërkesat e dosjes së tenderit.
Rrjedha procedurale e rastit
Pas shpalljes së vendimit për përzgjedhjen e operatorit fitues në tenderin e shpallur nga MAShTI, një operator tjetër ekonomik ka dorëzuar kërkesë për qasje në dokumentet e ofertës fituese, me qëllim verifikimin e përputhshmërisë me specifikimet teknike të dosjes së tenderit.
Ministria e Arsimit ka refuzuar kërkesën, duke arsyetuar se e gjithë oferta e operatorit fitues është e klasifikuar si “sekret afarist” dhe, për rrjedhojë, nuk mund të publikohet.
Pas këtij refuzimi, operatori ka paraqitur ankesë në OSHP, duke pretenduar se ky justifikim bie ndesh me Ligjin për Prokurimin Publik (LPP) dhe me parimin e transparencës në procedurat e prokurimit.
Sipas ankesës, “sekreti afarist” mund të aplikohet vetëm për elemente të veçanta të ofertës, si çmimet individuale apo detaje të teknologjisë, por jo për tërë ofertën, siç ka vepruar Ministria. Kjo, sipas ankesuesit, “e bën të pamundur vlerësimin nëse operatori fitues i ka përmbushur kërkesat e dosjes së tenderit” dhe krijon dyshim të arsyeshëm për parregullsi në procesin e vlerësimit.
Argumentet e operatorit ankesues
Operatori ka kërkuar nga OSHP që të detyrojë Ministrinë të bëjë transparente pjesët përkatëse të ofertës, duke u mbështetur në nenin 14 të LPP-së, që garanton qasjen në dokumentet e tenderit, përveç rasteve kur ato përmbajnë informacion të mbrojtur me ligj në mënyrë të arsyetuar.
Në ankesë theksohet se arsyetimi i Ministrisë është i paqëndrueshëm, sepse nuk është bërë ndonjë vlerësim konkret i pjesëve të ofertës që do të mund të konsideroheshin “sekret afarist”, por është aplikuar një fshehje e plotë e dokumenteve, në kundërshtim me ligjin dhe praktikat e rregullta të prokurimit publik.
Hapat e mëtejmë
OSHP ka pranuar ankesën dhe është në proces të shqyrtimit të saj. Pas vlerësimit të dokumenteve, trupi shqyrtues do të vendosë nëse Ministria ka shkelur ligjin duke refuzuar qasjen në ofertën fituese dhe nëse do të urdhërohet publikimi i dokumenteve të kërkuara.
Ky rast pritet të sqarojë edhe interpretimin e kufijve të “sekretit afarist” në prokurimet publike, në një kohë kur kërkesat për transparencë në përdorimin e fondeve publike po rriten ndjeshëm. /Kujdestari.info/