Albulena Haxhiu nuk ka dështuar dhjetëra herë për t’u zgjedhur vetëm në krye të Kuvendit të Kosovës, por dështime të mëdha ka shënuar edhe me buxhetin e ndarë për këtë vit për investime kapitale për Ministrinë e Drejtësisë.
Bazuar në raportin 6-mujor të shpenzimeve të buxhetit për vitin 2025, të cilin e posedon FrontOnline, për gjysmën e parë të këtij viti Ministria që udhëhiqet nga Haxhiu ka shpenzuar vetëm 3% të buxhetit të planifikuar për investime kapitale.
Dështim të plotë me investime kapitale në Qeverinë “Kurti” ka shënuar Ministria e Pushtetit Lokal, e cila udhëhiqet nga Elbert Krasniqi, e cila për 6 mujorin e parë të vitit 2025 nuk ka shpenzuar asnjë cent të vetëm për investime kapitale, raporton FrontOnline.
Sipas Ministrisë së Financave, nga buxheti i planifikuar orej 937.62 milionë euro, gjatë periudhës janar-qershor 2025 gjitha institucionet qendrore dhe lokale kanë shpenzuar vetëm 243 milionë euro, duke e arritur normën e ekzekutimit të buxhetit 26%.
Më së paku shpenzime kapitale kanë ndodhur në muajin janar të këtij viti nga gjitha organizatat buxhetore, përkatësisht 8.13 milionë euro, investimet kapitale në muajin shkurt kanë shkuar në 38.7 milionë euro, 50.77 milionë euro në mars, 41.81 milionë euro në prill, 46.41 milionë euro në maj dhe 57.32 milionë euro në qershor 2025, raporton FrontOnline.
Kurti, Gërvalla, Vitia, Sveçla dhe Çeku e nisin vitin keq me investime kapitale
Për 6-muaj dy nga Ministritë më të rëndësishmë të vendit, përkatësisht Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe Ministria e Ekonomisë kanë shpenzuar vetëm 1% të buxhetit të planifikuar për këtë vit për investime kapitale.
Hiç më shumë se ministrat Hajdari dhe Rizvanolli nuk kanë punuar as ministri i Bujqësisë Faton Peci, por as kryeministri Albin Kurti, të cilët e kanë shpenzuar vetëm 2% të buxhetit të planifikuar për investime kapitale.
Ministria e Jashtme, të cilën e udhëheq Donika Gërvalla, ka shpenzuar për gjysmë viti vetëm 3% të buxhetit të planifikuar për investime kapitale, ndërsa Ministria e Shëndetësisë që udhëhiqet nga Arben Vitia për 6 muaj ka shpenzuar 8 për qind të buxhetit për investime kapitale.
Ministria e Brendshme që udhëhiqet nga Xhelal Sveçla ka shpenzuar 13% të buxhetit, ndërsa Ministria e Kulturës e Hajrullah Çekut ka shpenzuar veç 17 % të buxhetit.
Nenad Rashiq shpenzoi më së shumti buxhet për investime kapitale
Pak më mirë me investime kapitale rezultojnë Ministria e Financave që ka shpenzuar 20% të buxhetit për investime kapitale, Ministria e Mjedisit ka shpenzuar 24% të buxhetit, aq ka shpenzuar edhe Ministria e Arsimit.
Ministria e Mbrojtjes për 6-muaj ka shpenzuar 25% të buxhetit për investime kapitale, Ministria e Zhvillimit rajonal ka shpenzuar 30% të buxhetit, ndërsa më së shumti buxhet për investime kapitale ka shpenzuar Ministria për Komunitete që udhëhiqet nga Nenad Rashiq, përkatësisht 49%, raporton FrontOnline.
Shpenzimet e Ministrive në kategorinë e investimeve kapitale
Ministria e Pushtetit Lokal 0%
Ministria e Tregtisë 1%
Ministria e Ekonomisë 1%
Ministria e Bujqësisë 2%
Zyra e Kryeministrit 2%
Ministria e Drejtësisë 3%
Ministria e Jashtme 3%
Ministria e Shëndetësisë 8%
Ministria e Brendshme 13%
Ministria e Kulturës 17%
Ministria e Financave 20%
Ministria e Mjedisit 24%
Ministria e Arsimit 24%
Ministria e Mbrojtjes 25%
Ministria e Zhvillimit Rajonal 30%
Ministria për Komunitete 49%