E shtunë, 14 Mars, 2026

Miliarderi shqiptar Saimir Mane bashkon forcat me biznesmenin e fuqishëm serb në logjistikë

Ndaj

Në një zhvillim që pritet të ndikojë ndjeshëm në sektorin e transportit dhe logjistikës në Shqipëri dhe rajon, miliarderi shqiptar Saimir Mane, përmes grupit të tij BALFIN Group, ka hyrë në një partneritet të ri strategjik me kompaninë serbe Milšped DOO Beograd, një nga operatorët më të mëdhenj të logjistikës në Europën Juglindore, shkruan Kujdestari.info.

Bashkëpunimi konkretizohet me krijimin e një shoqërie të re të përbashkët në Shqipëri, M-One Albania shpk, e cila do të ofrojë shërbime të integruara në transport kombëtar dhe ndërkombëtar, magazinim, menaxhim zinxhiri furnizimi, shërbime doganore si dhe shpërndarje postare “last-mile”. Vendimi për autorizimin e këtij përqendrimi është dhënë nga Autoriteti i Konkurrencës, i cili ka vlerësuar se struktura e re nuk cenon konkurrencën në treg.

Sipas strukturës së pronësisë, 49% e aksioneve zotërohen nga BALFIN, ndërsa shumica e mbetur nga Milšped, duke i dhënë partnerit serb kontrollin operacional në shoqërinë e re.

Kush është partneri serb?

Milšped DOO Beograd është një kompani me seli në Beograd, e cila operon në disa vende të Europës Juglindore. Ajo është e specializuar në transport ndërkombëtar, shërbime doganore dhe logjistikë të integruar për industri të mëdha, përfshirë sektorin automotive, retail dhe energjinë. Kompania ka qenë e përfshirë në kontrata të rëndësishme publike dhe bashkëpunime me institucione shtetërore dhe kompani të mëdha industriale në Serbi, duke konsoliduar pozitën si një nga aktorët kryesorë në tregun serb të logjistikës.

Milšped operon në Shqipëri që

nga viti 2014 përmes Milsped Albania, ku më herët BALFIN zotëronte 50% të aksioneve, çka e bën këtë bashkëpunim një zgjerim të mëtejshëm të marrëdhënies ekzistuese.

Roli i BALFIN dhe i Saimir Manes

Saimir Mane konsiderohet një nga sipërmarrësit më të suksesshëm shqiptarë, me investime në retail, pasuri të paluajtshme, bankë, turizëm dhe industri. Përmes BALFIN Group, ai ka ndërtuar një prani të fortë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe vende të tjera të rajonit.

Hyrja më e thelluar në sektorin e logjistikës shihet si një lëvizje strategjike në një kohë kur tregtia elektronike, importet dhe eksportet po rriten ndjeshëm. Krijimi i M-One Albania synon të ofrojë një platformë të plotë “end-to-end” për bizneset që operojnë në tregun shqiptar dhe rajonal.

Kujdestari.info ka raportuar ne vitin e kaluar se, Autoriteti i Konkurrencës i Republikës së Kosovës ka bërë të ditur se më 12 gusht 2025 ka pranuar një kërkesë për njoftim të përqendrimit lidhur me krijimin e ndërmarrjes së përbashkët “JUST FUN KOSOVO SH.P.K.” në Prishtinë.

Kjo ndërmarrje e sapokrijuar është themeluar nga kompania Balfin B.V., PIAZ Investment DOO dhe biznesmeni Juljan Mane, në bazë të një marrëveshjeje për shitblerje të aksioneve mes palëve.

Balfin B.V., qëndron nën pronësinë e grupit BALFIN, të themeluar nga miliarderi shqiptar Samir Mane, një prej figurave më të fuqishme të biznesit në rajon.

Ndërkohë, PIAZ Investment DOO është kompani me bazë në Shkup, Maqedoninë e Veriut, ndërsa Juljan Mane është biznesmen i njohur shqiptar që gjithashtu merr pjesë si aksionar.

“JUST FUN KOSOVO SH.P.K.” është regjistruar në zonën industriale të Prishtinës, Central Park, me numër unik identifikimi 812304608. Aktiviteti i saj do të jetë tregtia me pakicë dhe shumicë e produkteve të ndryshme.

Sipas strukturës aksionare:

  • Balfin B.V. zotëron 55% të aksioneve (137,500 euro),

  • PIAZ Investment DOO zotëron 30% të aksioneve (75,000 euro),

  • Juljan Mane zotëron 10% të aksioneve (25,000 euro),

  • Steven Gordon Grunerud zotëron 5% të aksioneve (12,500 euro).

Me këtë hap, Samir Mane përmes Balfin Group po konsolidon edhe më shumë praninë e tij në tregun e Kosovës, duke synuar që “JUST FUN KOSOVO” të bëhet një faktor i rëndësishëm në sektorin e shitjes me pakicë dhe shumicë. /Kujdestari.info/

Tabela e përmbajtjes [hide]

Lexo më shumë

Të tjera