E mërkurë, 17 Dhjetor, 2025

Me negocim e pa garë: KQZ ia beson IPKO-s njoftimin me SMS të votuesve

Ndaj

Teksa po hyn në fazën finale të përgatitjeve për zgjedhjet lokale të tetorit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) po finalizon edhe tenderët e nevojshëm për procesin, përfshirë atë për njoftimin e votuesve me SMS, shkruan Kujdestari.info.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të lidhë një kontratë të drejtpërdrejtë me operatorin privat IPKO Telecommunications, për ofrimin e shërbimeve të SMS-ve me qëllim njoftimin e votuesve për qendrat e tyre të votimit në zgjedhjet komunale të tetorit. Vlera e kontratës arrin në 13 mijë euro, ndërsa është realizuar përmes procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë.

Në këtë proces është anashkaluar kompania publike Telekomi i Kosovës, me të cilën KQZ ka marrëveshje bashkëpunimi. Në arsyetimin e prokurimit, KQZ ka deklaruar se Telekomi mund të dërgojë SMS vetëm për klientët e vet, ndërsa qëllimi i institucionit është që njoftimi të përfshijë gjithë qytetarët që posedojnë numra të operatorit IPKO.

“Duke marrë parasysh se KQZ ka marrëveshje me Telekomin e Kosovës, i cili mund të dërgojë SMS vetëm për klientët e vet, përmes këtij aktiviteti KQZ synon të sigurojë një informim gjithëpërfshirës për të gjithë votuesit… Për këtë arsye është i nevojshëm përdorimi i procedurës me një OE, konkretisht IPKO”, thuhet në arsyetimin e tenderit.

Ky vendim bazohet në aktin e KQZ-së të datës 12 gusht 2025, me të cilin është miratuar rekomandimi i Sekretariatit për përdorimin e procedurës së negociuar pa publikim. /Kujdestari.info

Lexo më shumë

Të tjera