Edhe pse vetëm pak muaj i kanë mbetur në pozitën e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani po e nis një proces që synon të zgjasë përtej mandatit të saj, shkruan Demokracia.com.
Presidenca ka hapur një tender për hartimin e fizibilitetit për ndërtimin e një godine të re presidenciale, e cila parashihet të ndërtohet në lagjen “Prishtina e Re” (Veternik).
Projekti, që përfshin analiza teknike, mjedisore e arkitektonike, lë të kuptohet se ndërtesa e tanishme e Presidencës në qendër të Prishtinës nuk është më pjesë e planeve të së ardhmes institucionale.
Demorkacia.com ka kërkuar informacion rreth buxhetit të paracaktuar për këtë projekt nga Presidenca e Kosovës, por deri më tani, nuk është marrë përgjigje zyrtare në këtë pyetje: “A ekziston një buxhet i paracaktuar për realizimin e këtij projekti nga ana e Presidencës së Kosovës?”
Ndërkohë, dokumentacioni për tenderin e ndërtimit të objektit të Presidencës përfshin analiza të ndryshme teknike dhe mjedisore, si dhe një plan të detajuar për organizimin funksional dhe sigurinë e objektit.
Aktualisht, Presidenca e Kosovës funksionon në një hapësirë të përbashkët me Kuvendin e Kosovës, në ndërtesën qendrore institucionale në zemër të Prishtinës.