Një faturë që nuk kalon nëpër asnjë tender, por që paguhet me përpikëri cent më cent është ajo e përmbaruesve. Dhe për Komuna e Prishtinës, kjo faturë për vitin 2025 rezulton të jetë marramendëse, shkruan Kujdestari.info.
Sipas të dhënave nga raporti buxhetor 2025, të siguruara nga Kujdestari.info, përmes Thesarit të Ministria e Financave e Kosovës, për përmbarime dhe vendime gjyqësore janë ekzekutuar plot 45,724,459.69 euro.

Kur kjo shumë vihet në raport me buxhetin total të komunës prej rreth 128 milionë euro, rezulton se afro 35.7% e gjithë buxhetit ka shkuar për pagesa që lidhen me procese gjyqësore dhe përmbarimore. Pra, më shumë se një e treta e parasë publike është kanalizuar për borxhe të akumuluara, vendime të vonuara dhe detyrime të papaguara me kohë.
Këto pagesa nuk janë të përqendruara vetëm në një kategori. Në kategorinë e pagave dhe mëditjeve përfshihen kompensime për paga jubilare dhe shujta ditore. Tek mallrat dhe shërbimet dominojnë kompensimet e dëmit material dhe jomaterial, si dhe lëndët përmbarimore. Ndërsa në shpenzimet kapitale hyjnë kompensimet për prona, shpronësime dhe pagesa ndaj operatorëve ekonomikë që nuk janë paguar me kohë për shkak të problemeve buxhetore gjatë vitit 2025.
Në thelb, një pjesë e madhe e buxhetit nuk po përdoret për investime të reja apo shërbime për qytetarët, por për të mbyllur llogari të vjetra, shpesh të shtrenjtuara nga vonesat dhe kalimi i rasteve në duart e përmbaruesve. /Kujdestari.info/