E premte, 13 Mars, 2026

Mbi 25 milionë euro vetëm për një muaj: Kush po merr më së shumti nga skemat sociale në Kosovë

Ndaj

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Statistikat e Mirëqenies Sociale për muajin janar 2026, të cilat tregojnë se pensionet bazike të moshës vazhdojnë të jenë skema me numrin më të madh të përfituesve dhe me shumën më të lartë të mjeteve të shpërndara, shkruan Kujdestari.info.

Sipas raportit, gjatë janarit, gjithsej 163,487 persona kanë përfituar pension bazik të moshës, për të cilët janë shpenzuar 25,456,020 euro. Ndërkohë, 48,255 përfitues të pensioneve kontributpaguese të moshës kanë marrë gjithsej 12,085,372.80 euro, ndërsa 10,461 përfitues të pensioneve parciale kontributpaguese kanë përfituar 2,326,055.84 euro.

Një numër i konsiderueshëm i përfituesve është edhe në kategorinë e personave me aftësi të kufizuara, ku 20,909 persona kanë përfituar 3,335,930 euro, ndërsa 3,492 përfitues të pensioneve paraplegjike dhe tetraplegjike kanë marrë 1,364,708 euro.

Raporti tregon gjithashtu se:

38,063 veteranë të luftës kanë përfituar 7,541,732.24 euro;

12,473 përfitues nga familjet e dëshmorëve dhe invalidëve të luftës kanë marrë 3,792,931.55 euro;

16,110 familje në kuadër të skemës së ndihmës sociale kanë përfituar 2,398,746 euro;

15,077 përfitues nga skema e kompensimit të arsimit për vitet ’90 kanë marrë 1,322,877 euro;

4,220 familje me fëmijë me aftësi të kufizuara janë mbështetur me 704,760 euro.

Ndërkaq, skemat e tjera përfshijnë:

875 përfitues të pensioneve të Trepçës me 132,904.80 euro;

942 përfitues nga Forca e Sigurisë së Kosovës me 465,223 euro;

1,384 përfitues nga Trupat Mbrojtëse të Kosovës me 292,830 euro;

1,883 përfitues nga skema e të verbërve me 523,270 euro;

2,494 përfitues të pensioneve familjare me 378,100 euro;

29 përfitues të pensioneve të invalidëve të punës me 4,350 euro.

Këto të dhëna konfirmojnë se sistemi i mirëqenies sociale në Kosovë vazhdon të ketë në fokus mbështetjen e të moshuarve, kategorive të dala nga lufta dhe familjeve në nevojë, me dhjetëra milionë euro të ndara çdo muaj për këto kategori. /Kujdestari.info/

Lexo më shumë

Të tjera