Vetëm gjatë shtatë muajve të parë të vitit 2026, Komuna e Prishtinës është përballur me mbi 18 milionë euro ekzekutime që lidhen me vendime gjyqësore dhe përmbarimore, sipas raporteve financiare të vetë komunës, shkruan Kujdestari.info.
Në raportin për tremujorin e parë, janar-mars, Komuna evidenton se, sipas vendimeve gjyqësore dhe përmbarimore, Thesari kishte hapur një kategori të veçantë dhe kishte zbritur nga investimet kapitale 5,236,513.02 euro. Nga kjo kategori, deri në atë moment ishin shpenzuar 1,614,221.16 euro.

Situata bëhet shumë më e rëndë në tremujorin e dytë.
Për periudhën prill-qershor, raporti i komunës evidenton gjithsej 11,153,382.06 euro të ekzekutuara nga përmbaruesit dhe vendimet gjyqësore.
Sipas dokumentit, prej tyre 4,692,535.73 euro janë marrë nga kategoria ekonomike “mallra dhe shërbime”, ndërsa 6,399,289.99 euro nga kategoria e kapitaleve. Përveç tyre, figurojnë 54 mijë euro nga komunalitë dhe 7,556.34 euro nga subvencionet.

Vetëm për gjashtë muajt e parë të vitit, kështu, shuma e evidentuar në këto dy raporte arrin në 12,767,603.22 euro.
Por goditja financiare nuk përfundon në qershor.
Raporti mujor i Drejtorisë së Financave për korrik 2026 evidenton edhe 2,666,720.06 euro të tjera si “Ekzekutim i vendimeve gjyqësore”. Dokumenti e specifikon se bëhet fjalë për vendime gjyqësore të ekzekutuara nga Thesari. (DOKUMENT)
Kujdestari ka mësuar se, përveç shumës së raportuar më herët, rreth 3 milionë euro të tjera janë tërhequr nga përmbaruesi nga llogaritë e Komunës deri në gjysmën e muajit gusht.
Kjo do të thotë se, duke i mbledhur shumat e raportuara për tremujorin e parë, tremujorin e dytë dhe korrikun, rezultati arrin mbi 18 milionw euro.
Përmasën e kësaj shume e tregon edhe krahasimi me buxhetin e kryeqytetit. Buxheti i përgjithshëm i Prishtinës për vitin 2026 është rreth 151.5 milionë euro. Shuma prej 15.43 milionë eurosh është ekuivalente me rreth 10.2% të gjithë buxhetit vjetor të kryeqytetit.
Vetë raportet e komunës, megjithatë, nuk tregojnë në secilin rast se për çfarë kontesti konkret është nxjerrë vendimi, kush është kreditori apo sa nga shuma përfaqëson borxhin bazë dhe sa shpenzime procedurale/përmbarimore.
Gjatë vitit 2025, Komuna e Prishtinës ka paguar rreth 45.7 milionë euro për vendime gjyqësore dhe përmbarimore, duke shënuar një rritje drastike krahasuar me një vit më parë. Në vitin 2024 Prishtina kishte paguar rreth 10.6 milionë euro për këtë kategori, që do të thotë se brenda një viti shuma është rritur për rreth 332 për qind. Këto obligime lidhen kryesisht me kontratat kolektive në arsim dhe shëndetësi, kompensimet për shujta, transport e inflacion, vonesat në pagesa ndaj furnitorëve dhe çështje të tjera që kanë përfunduar në procedura gjyqësore apo përmbarimore. /Kujdestari.info/