Duhani vazhdon të mbetet një nga produktet me qarkullimin më të madh financiar në importet e Kosovës, shkruan Kujdestari.info.
Të dhënat e importit për periudhën janar-korrik 2026 tregojnë se në vend kanë hyrë produkte të duhanit me vlerë mbi 110 milionë euro, ndërsa një pjesë e madhe e këtij tregu është mbuluar nga një shtet që në pamje të parë mund të duket i papritur Polonia.
Sipas të dhënave të importit, gjatë këtyre shtatë muajve Kosova ka importuar mbi 2.7 milionë kilogramë produkte të duhanit, ku pjesën dërrmuese e përbëjnë cigaret që përmbajnë duhan.
Nga të gjitha vendet prej nga është importuar duhani, Polonia renditet bindshëm në vendin e parë. Nga ky shtet janë importuar produkte të duhanit në vlerë prej rreth 59.7 milionë euro, duke përbërë më shumë se gjysmën e vlerës totale të importeve.
Pas Polonisë renditen:
- Rumania me rreth 16 milionë euro importe;
- Gjermania me mbi 15.2 milionë euro;
- Bullgaria me rreth 4.5 milionë euro;
- Turqia me mbi 4.3 milionë euro.
Kjo renditje nxjerr në pah një zhvillim interesant: tregu kosovar i duhanit nuk furnizohet kryesisht nga vendet fqinje, por nga vende të Evropës Qendrore dhe Lindore, ku industria e duhanit ka një prani të fuqishme.
Cigarja mbetet produkti dominues
Nga mbi 110 milionë euro të importeve, pjesa më e madhe lidhet me cigaret klasike. Vetëm produktet që përmbajnë duhan përbëjnë mbi 105 milionë euro të vlerës së importuar.
Ndërkohë, në rritje janë edhe produktet alternative të duhanit, përfshirë cigaret elektronike dhe mbushjet e tyre, të cilat gjatë kësaj periudhe kapin disa milionë euro importe.
Korriku, muaji me importet më të larta
Nëse shikohet shpërndarja mujore, korriku rezulton të ketë pasur vlerën më të lartë të importeve të duhanit. Vetëm gjatë këtij muaji në Kosovë kanë hyrë produkte me vlerë rreth 23 milionë euro.
Të dhënat tregojnë se konsumi i produkteve të duhanit vazhdon të përfaqësojë një treg me qarkullim të madh financiar, ndërsa origjina e importeve tregon se kompanitë kosovare po mbështeten gjithnjë e më shumë në furnizues nga tregjet evropiane. /Kujdestari.info/