E mërkurë, 4 Mars, 2026

Bilanci 2026 i ZRRE-së zbulon krizën energjetike

Ndaj

Bilanci Vjetor i Energjisë Elektrike 2026 tregon se sistemi energjetik i Kosovës vazhdon të përballet me sfida serioze. Sipas dokumentit zyrtar, gjatë vitit 2026 parashihet që mbi 1,012 GWh energji të humbet në rrjetin e transmetimit dhe shpërndarjes, ndërsa prodhimi vendor planifikohet të jetë më i ulët krahasuar me vitin 2025. Në të njëjtën kohë, kërkesa (konsumi) për energji elektrike vazhdon të mbetet e lartë, duke e bërë importin të domosdoshëm për mbulimin e diferencës, shkruan Kujdestari.info.

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka publikuar në ueb-faqen zyrtare raportin “Bilanci Vjetor i Energjisë Elektrike 2026”, i cili do të jetë në diskutim publik deri më 4 mars. Dokumenti paraqet planifikimin vjetor të kërkesës për energji elektrike, prodhimin vendor, importin, eksportin si dhe balancimin e sistemit.

Konsumi dhe prodhimi: Diferenca që mbulohet me import

Sipas Bilancit 2026, kërkesa totale për energji elektrike parashihet të jetë 7,123.57 GWh, ndërsa prodhimi nacional planifikohet në 5,448.25 GWh. Kjo nënkupton një diferencë prej rreth 1,675 GWh, e cila duhet të mbulohet kryesisht përmes importit nga tregjet rajonale.

Në vitin 2025, energjia e planifikuar që hynte në rrjetin e transmetimit ishte 5,371.16 GWh, ndërsa për vitin 2026 parashihet të jetë 5,265.18 GWh. Pra mbi 100 GWh më pak energji në dispozicion nga prodhimi vendor.

Raporti e bën të qartë se kapacitetet ekzistuese prodhuese nuk e mbulojnë plotësisht kërkesën, veçanërisht gjatë orëve të pikut, çka e lë vendin të varur nga importi dhe larg vetë-mjaftueshmërisë energjetike.

Prodhimi nga termocentralet: Rënie krahasuar me 2025

Krahasimi i dy bilanceve tregon se në vitin 2025 prodhimi nga TC Kosova A dhe TC Kosova B ishte planifikuar në 4,915.34 GWh, ndërsa për vitin 2026 planifikohet në 4,701.54 GWh.

Kjo paraqet një ulje prej rreth 214 GWh. Rënia më e theksuar vërehet në TC Kosova B, ndërsa TC Kosova A shënon rritje të lehtë, por jo të mjaftueshme për të kompensuar uljen e përgjithshme.

Edhe pse ka rritje në burimet e ripërtëritshme, struktura bazë e sistemit mbetet e mbështetur kryesisht në termocentrale të vjetra me qymyr, pa ndonjë ndryshim të dukshëm strukturor

Humbjet e energjisë.

Një nga elementet më shqetësuese të bilancit mbeten humbjet e energjisë elektrike.

Humbjet ndahen në:

Humbje teknike, që ndodhin gjatë transmetimit dhe shpërndarjes për shkak të natyrës fizike të rrjetit;

Humbje komerciale, që lidhen me energjinë e konsumuar por të pafaturuar, përfshirë matje jo të sakta apo ndërhyrje të paligjshme.

Në vitin 2025, humbjet totale ishin planifikuar në 1,156.31 GWh.
Në vitin 2026, ato parashihen të jenë 1,012.31 GWh, prej të cilave:

130.35 GWh në transmetim (1.75%)

881.96 GWh në shpërndarje (13.23%)

Nga aspekti rregullativ, humbjet teknike të lejuara përfshihen në strukturën tarifore dhe miratohen nga rregullatori. Kjo do të thotë se një pjesë e tyre reflektohet në çmimin final që paguajnë konsumatorët. Sa më të larta të jenë humbjet, aq më i madh është presioni mbi sistemin tarifor.

Ndërsa humbjet komerciale duhet të reduktohen nga operatorët përmes menaxhimit dhe kontrollit më të mirë të rrjetit, çdo mos-efikasitet sistemik përfundimisht krijon kosto për gjithë sektorin.

Bilanci 2026 nuk paraqet një përmbysje të modelit energjetik të Kosovws. Prodhimi vendor bie krahasuar me vitin paraprak, kërkesa mbetet e lartë, mbi 1 miliard kWh energji parashihet të humbet në rrjet dhe rreth 1,675 GWh duhet të sigurohen nga importi. /Kujdestari.info

Lexo më shumë

Të tjera