Ekonomia

Mbi 1 miliard euro investime të huaja në Kosovë, por ku po shkojnë paratë?

Nga Kujdestari Media

Kosova ka shënuar në vitin 2025 nivelin më të lartë të investimeve të huaja direkte në serinë e Vjetarit Statistikor që nis nga viti 2007. Por, a po vijnë investitorët e huaj për të hapur fabrika, për të zhvilluar teknologjinë dhe për të krijuar kapacitete të reja prodhuese, apo kapitali po përqendrohet kryesisht në patundshmëri. Kujdestari.info sjell detaje…

Sipas të dhënave të paraqitura në Vjetarin Statistikor 2026, investimet e huaja direkte në Kosovë arritën në 1 miliard e 95 milionë euro në vitin 2025.

Për krahasim, në vitin 2020 ishin 345.7 milionë euro, ndërsa në vitin 2014 vetëm 151.2 milionë euro.

Kjo do të thotë se krahasuar me vitin 2020, fluksi vjetor është më shumë se trefishuar, ndërsa kundrejt vitit 2014 është mbi shtatë herë më i lartë.

Në duket një histori e fuqishme e rritjes së investimeve.

Por kur 1.095 miliardë eurot ndahen sipas aktivitetit ekonomik, pamja ndryshon.

7 në çdo 10 euro shkuan në patundshmëri

Nga gjithsej 1.095 miliardë euro investime të huaja direkte në vitin 2025, 771.3 milionë euro kanë shkuar në aktivitete të patundshmërisë.

Kjo përbën rreth 70.4 për qind të të gjitha investimeve të huaja direkte të atij viti.

Për çdo 100 euro investime direkte që hynë në Kosovë, afërsisht 70 euro përfunduan në patundshmëri.

Dhe kjo nuk është dukuri vetëm e vitit 2025.

Në vitin 2020, investimet në patundshmëri ishin 201.1 milionë euro. Në vitin 2021 u rritën në 384 milionë, në 2022 në 529.5 milionë, në 2023 në 517.1 milionë, në 2024 në 648.6 milionë dhe në vitin 2025 në 771.3 milionë euro.

Pra, brenda vetëm pesë vjetësh, investimet e huaja vjetore në patundshmëri janë rritur nga 201 në 771 milionë euro.

BQK e ka identifikuar këtë përqendrim edhe në analizat e veta. Për vitin 2024, ajo raportonte se patundshmëritë përbënin 76.5% të IHD-ve dhe e lidhte zhvillimin kryesisht me kërkesën e diasporës dhe rritjen e çmimeve të pronave. Edhe gjatë vitit 2025, BQK vazhdonte ta identifikonte patundshmërinë si sektorin dominues të IHD-ve.

Kjo është shumë e rëndësishme edhe për mënyrën se si duhet lexuar termi “investitor i huaj”. Një pjesë e kapitalit të regjistruar si IHD në patundshmëri lidhet me kërkesën nga diaspora; prandaj shifra nuk duhet interpretuar sikur 771 milionë euro janë domosdoshmërisht kompani të huaja që kanë ardhur për të ndërtuar projekte të reja biznesi.

Fabrikat vetëm 31.9 milionë euro

Kontrasti më i madh paraqitet te prodhimi.

Nga mbi 1.095 miliardë euro IHD në vitin 2025, vetëm 31.9 milionë euro figurojnë te prodhimi. Kjo është rreth 2.9 për qind e totalit.

Pra patundshmëri 771.3 milionë euro. Prodhim 31.9 milionë euro

Investimet në patundshmëri ishin kështu rreth 24 herë më të mëdha se investimet në prodhim.

Madje, historia e prodhimit gjatë viteve të fundit nuk tregon ndonjë hov të madh.

Në vitin 2022 IHD-të në prodhim ishin 8.9 milionë euro, në 2023 ishin 17.2 milionë, në 2024 rreth 15.7 milionë dhe në 2025 arritën në 31.9 milionë euro.

Ka rritje, por baza vazhdon të jetë shumë e vogël krahasuar me kapitalin që shkon në prona.

As teknologjia nuk është magneti kryesor

Një situatë e ngjashme paraqitet te informacioni dhe komunikimi.

Në vitin 2025 ky sektor tërhoqi 26.5 milionë euro investime direkte.

Ndërkohë, në aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike u investuan vetëm 5.7 milionë euro.

Në ndërtim, një sektor shumë i dukshëm në ekonominë e Kosovës – IHD-të e regjistruara ishin vetëm 8.9 milionë euro.

Në bujqësi, pylltari dhe peshkatari vetëm 0.3 milionë euro.

Akomodimi dhe shërbimet me ushqim: 0.7 milionë euro.

Arsimi: praktikisht zero.

Shëndetësia dhe puna sociale 2.8 milionë euro.

Këto shifra krijojnë një kontrast të madh me 771 milionët e patundshmërive.

Ku tjetër po shkojnë paratë?

Pas patundshmërive, kategoria e dytë më e madhe në tabelën e vitit 2025 janë aktivitetet financiare dhe të sigurimit, me 124.9 milionë euro.

Tregtia me shumicë dhe pakicë ka marrë 42.5 milionë euro.

Furnizimi me energji, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar ka tërhequr 47.6 milionë euro.

Xehetaria dhe gurorët 16.4 milionë euro.

Pra, edhe kur hiqen patundshmëritë, kapitali i mbetur shpërndahet në shumë sektorë dhe asnjëri nuk i afrohet dominimit të pronave.

Investimet po rriten, diversifikimi mbetet problemi

Kjo nuk do të thotë se investimi në patundshmëri është i pavlefshëm për ekonominë.

Paratë që hyjnë për prona gjenerojnë aktivitet në ndërtim, punësim, materiale ndërtimore, shërbime financiare, arkitekturë dhe sektorë të tjerë.

Por nga këndvështrimi i strukturës ekonomike ekziston një dallim ndërmjet blerjes apo zhvillimit të një prone dhe një investimi që ndërton një fabrikë eksportuese, sjell teknologji të re, makineri, know-how dhe vende pune afatgjata.

Vetë BQK, në vlerësimin për tremujorin e dytë të vitit 2025, e ka përshkruar përqendrimin e madh të IHD-ve në patundshmëri si tregues të mungesës së diversifikimit dhe rrezikut nga përqendrimi i lartë në këtë sektor.

Kështu, problemi i Kosovës nuk duket se është vetëm “si të sjellim më shumë investime të huaja”. Shifra prej mbi një miliard eurosh tregon se kapitali po hyn. /Kujdestari.info/