E mërkurë, 25 Mars, 2026

Mbi 1.7 miliardë euro në SHBA- ku po i mban paratë Fondi Pensional i Kosovës

Ndaj

Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK) ka shpërndarë miliarda euro të kursimeve të qytetarëve në tregje ndërkombëtare, me përqendrimin më të madh të investimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkruan Kujdestari.info.

Sipas të dhënave të fundit deri më 31 dhjetor 2025, SHBA kryeson bindshëm listën me rreth 1.77 miliardë euro investime, që përbëjnë mbi 47 për qind të totalit të mjeteve të investuara jashtë vendit.

Në vendin e dytë renditet vetë Kosova, me mbi 656 milionë euro apo rreth 17.5 për qind të totalit. Këto investime kryesisht lidhen me instrumente financiare vendore, përfshirë obligacionet dhe tregun e brendshëm.

Pas tyre vijnë Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Japonia, ndërsa lista e dhjetë shteteve ku FKPK ka përqendruar më së shumti investimet përfshin edhe Gjermaninë, Italinë, Kanadanë, Holandën dhe Spanjën.

Në total, vetëm këto 10 shtete përbëjnë rreth 3.2 miliardë euro apo mbi 85 për qind të gjithë portofolit të investimeve të Fondit.

FKPK është institucioni kryesor që menaxhon kursimet pensionale të qytetarëve të Kosovës dhe operon mbi parimin e diversifikimit të investimeve për të ulur rrezikun dhe për të rritur kthimin afatgjatë . Vetëm gjatë vitit 2025, fondi ka realizuar kthim rekord prej mbi 300 milionë euro nga investimet .

Këto të dhëna tregojnë qartë orientimin global të investimeve të Trustit, me fokus të veçantë në tregjet e mëdha financiare si SHBA dhe vendet kryesore të Evropës. /Kujdestari.info/

Lexo më shumë

Të tjera