Institucionet publike të Kosovës vazhdojnë të përballen me një problem serioz në mbledhjen e parave që u detyrohen, ndërsa shuma e llogarive të arkëtueshme ka kaluar 1.2 miliardë euro, shkruan Kujdestari.info.
Sipas Raportit Vjetor të Auditimit për vitin 2025, llogaritë e arkëtueshme të raportuara kanë arritur në 1 miliard e 210 milionë euro, duke shënuar rritje prej mbi 206 milionë eurosh, apo 20 për qind, krahasuar me vitin paraprak. ZKA e lidh këtë rritje me mungesën e masave të duhura nga institucionet për mbledhjen e të hyrave.
Problemi është veçanërisht i theksuar në nivelin qendror. Vetëm MFPT/Administrata Tatimore e Kosovës mban rreth 779.7 milionë euro llogari të arkëtueshme, ndërsa pas saj renditet Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale me mbi 82 milionë euro. Në nivelin qendror, këto llogari janë rritur për rreth 175 milionë euro, apo 24 për qind brenda një viti.
Edhe komunat kanë mbi 307 milionë euro të raportuara si të arkëtueshme, që përfshijnë tatimin në pronë, taksat e ndërtimit, lejet e urbanizimit, qiratë dhe detyrime të tjera. Vetëm në nivelin lokal, rritja vjetore ishte afro 31 milionë euro.
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar javën e kaluar Raportin Vjetor të Auditimit për vitin 2025, në të cilin ka përmbledhur gjetjet kryesore nga auditimet e institucioneve publike, ndërmarrjeve publike, projekteve dhe fushave me interes të drejtpërdrejtë për qytetarët. /Kujdestari.info/