Tender

Mashtrimi me dokumente në tenderin e Doganës së Kosovës, OSHP-ja përjashton kompaninë nga prokurimi publik për gjashtë muaj

Nga Kujdestari Media

Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) ka marrë vendim për diskualifikimin e operatorit ekonomik “Bashkim Hamidi B.I.” nga pjesëmarrja në të gjitha procedurat e prokurimit publik në Kosovë për një periudhë gjashtëmujore, pasi ka konstatuar se kompania kishte paraqitur dëshmi mashtruese në një tender të Doganës së Kosovës, shkruan Kujdestari.info.

Vendimi është marrë më 27 tetor 2026 nga Paneli Shqyrtues i OSHP-së, pas shqyrtimit të kërkesës së Doganës së Kosovës, e cila kishte ngritur dyshime për vërtetësinë e dokumenteve të dorëzuara nga operatori ekonomik gjatë një procedure të prokurimit.

Rasti lidhet me tenderin për “Ndërtimin e objektit për vendosjen e skanerit për kontrollin e mallrave doganore në pikën e kalimit kufitar (PKK) Jarinjë”, me numër prokurimi 201-26-3032-5-2-1.

Sipas vendimit të OSHP-së, gjatë procesit të vlerësimit të ofertave, Dogana e Kosovës kishte pranuar informacione që ngrinin dyshime se operatori ekonomik kishte përdorur dokumentacion profesional pa autorizimin e personit të cilit i përkisnin ato.

Inxhinieri mohoi bashkëpunimin me kompaninë

Në arsyetimin e vendimit thuhet se më 24 qershor 2026, Dogana e Kosovës kishte pranuar një email nga inxhinieri i gjeodezisë I.S., i cili ishte paraqitur si pjesë e stafit të operatorit ekonomik “Bashkim Hamidi B.I.”.

Inxhinieri kishte deklaruar se diploma e tij ishte përdorur për projektin e ndërtimit të objektit për vendosjen e skanerit në Jarinjë, ndonëse ai nuk kishte dhënë autorizim për një gjë të tillë.

Gjatë një takimi të organizuar nga Dogana e Kosovës, inxhinieri kishte sqaruar se kishte pasur marrëveshje për projekte të tjera me këtë operator ekonomik, por jo për projektin në fjalë.

Ai kishte theksuar se nuk kishte nënshkruar kontratë për këtë tender dhe se dokumentet e tij ishin përdorur pa dijeninë dhe autorizimin e tij.

Sipas vendimit, inxhinieri kishte përmendur edhe disa operatorë të tjerë ekonomikë me të cilët kishte bashkëpunuar, por kishte mohuar se kjo i jepte të drejtë kompanisë në fjalë t’i përdorte dokumentet e tij në procedurën konkrete të prokurimit.

Kompania i kundërshtoi pretendimet e Doganës

Pas kërkesës së Doganës së Kosovës për diskualifikim, OSHP-ja i kishte kërkuar operatorit ekonomik që të paraqiste argumentet dhe provat e tij.

Kompania “Bashkim Hamidi B.I.” kishte kundërshtuar pretendimet, duke kërkuar që kërkesa e autoritetit kontraktues të refuzohej si e pabazuar.

Në përgjigjen e saj, kompania kishte deklaruar se për përmbushjen e kritereve profesionale kishte paraqitur një gjeodet tjetër të licencuar, Xhavit Fetahun, i cili kishte përgatitje profesionale Master dhe kishte përmbushur kërkesat e përcaktuara në dosjen e tenderit.

Sipas kompanisë, dokumentacioni i këtij profesionisti dhe kontrata e vlefshme e bashkëpunimit ishin dorëzuar përpara afatit të fundit të ofertimit.

Operatori ekonomik kishte argumentuar se dokumentet e inxhinierit I.S. nuk kishin qenë vendimtare për përmbushjen e kritereve të tenderit, pasi këto kritere, sipas tij, ishin plotësuar përmes profesionistit tjetër.

Megjithatë, këto argumente nuk e bindën Panelin Shqyrtues.

OSHP-ja: Kompania tentoi ta mashtrojë Doganën e Kosovës

Në arsyetimin e vendimit, Paneli Shqyrtues ka konstatuar se provat e dorëzuara nga Dogana e Kosovës dëshmojnë se operatori ekonomik kishte përdorur dokumente pa autorizim.

Paneli i është referuar edhe deklaratës së inxhinierit të datës 17 shtator 2026, përmes së cilës ai kishte konfirmuar qëndrimin e mëparshëm se nuk kishte bashkëpunim me kompaninë për projektin në Jarinjë.

“Paneli shqyrtues, pas administrimit të provave të dorëzuara nga autoriteti kontraktues – Dogana e Kosovës dhe OE Bashkim Hamidi B.I., vlerëson se autoriteti kontraktues ka dorëzuar prova me të cilat dëshmon se OE Bashkim Hamidi B.I. i ka keqpërdorur dhe se ka tentuar ta mashtrojë AK – Doganën e Kosovës”, thuhet në vendim.

OSHP-ja ka konstatuar se, pavarësisht faktit që kompania ishte thirrur të dorëzonte dokumentacionin për profesionistin tjetër, ajo kishte përfshirë në ofertë edhe dokumente që lidheshin me inxhinierin I.S., për të cilin ishte vërtetuar se nuk kishte nënshkruar kontratë dhe nuk kishte ndonjë bashkëpunim për këtë aktivitet prokurimi.

Paneli ka vlerësuar se këto veprime përbënin bazë të mjaftueshme për shqiptimin e masës së diskualifikimit.

Duke u mbështetur në nenin 99.2 të Ligjit për Prokurimin Publik dhe dispozitat përkatëse të Rregullores për Prokurimin Publik, OSHP-ja ka aprovuar kërkesën e Doganës së Kosovës.

Sipas vendimit, operatori ekonomik “Bashkim Hamidi B.I.”, me seli në Shtërpcë, diskualifikohet nga pjesëmarrja në prokurimin publik për gjashtë muaj, nga 27 tetori 2026 deri më 26 prill 2027.

Kjo masë nuk kufizohet vetëm në tenderin e Doganës së Kosovës, por përfshin të gjitha procedurat e prokurimit publik gjatë periudhës së përcaktuar.

Vendimi i referohet edhe nenit 67.9 të Rregullores për Prokurimin Publik, sipas të cilit operatori ekonomik i diskualifikuar nuk mund të ndërmarrë veprime të mëtejshme në procedurat e prokurimit, përfshirë aplikimet dhe kundërshtimet, deri në përfundim të periudhës së diskualifikimit.

Në këshillën juridike të vendimit thuhet se kundër tij nuk lejohet ankesa në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

Megjithatë, pala e pakënaqur mund t’i drejtohet gjykatës kompetente me kërkesë për anulimin e vendimit, brenda 30 ditëve nga pranimi i tij.

Vendimi me numër PSH 1199/26 është marrë nga paneli në përbërje të Batisha Ibrahimit, Vedat Potera dhe Kimete Gashi-Brajshori. /Kujdestari.info/