E premte, 6 Mars, 2026

‘Made in Kosova’ dyfishohen në shkurt drejt Serbisë- bizneset kosovare rrisin fuqishëm shitjet

Ndaj

Kosova ka shënuar rritje të ndjeshme të shitjes së mallrave të saj në tregun serb gjatë muajit shkurt. Sipas të dhënave të tregtisë rajonale në kuadër të CEFTA-s, bizneset kosovare kanë shitur pothuajse dyfish më shumë produkte në Serbi krahasuar me muajin janar, shkruan Kujdestari.info.

Të dhënat tregojnë se në janar 2026 Kosova ka shitur në Serbi mallra në vlerë rreth 2.98 milionë euro, ndërsa në shkurt kjo shifër është rritur në rreth 5.71 milionë euro. Pra, vetëm brenda një muaji, shitjet e mallrave kosovare në tregun serb janë rritur me mbi 2.7 milionë euro, duke shënuar pothuajse dyfishim.

Kjo rritje konsiderohet një zhvillim pozitiv për prodhuesit dhe bizneset vendore, të cilët prej vitesh janë përballur me vështirësi për të depërtuar në tregun serb, për shkak të barrierave politike dhe tregtare që kanë ekzistuar mes dy vendeve.

Përveç Serbisë, Kosova ka rritur shitjen e produkteve të saj edhe në disa vende të tjera të rajonit gjatë muajit shkurt.

Sipas të dhënave për dy muajt e parë të vitit:

Maqedonia e Veriut ka blerë mallra nga Kosova në vlerë 8.45 milionë euro në janar dhe 12.13 milionë euro në shkurt.

Shqipëria ka blerë 8.34 milionë euro në janar dhe 7.58 milionë euro në shkurt.

Mali i Zi ka blerë 2.44 milionë euro në janar dhe 3.94 milionë euro në shkurt.

Bosnja dhe Hercegovina ka blerë 425 mijë euro në janar dhe 1.24 milionë euro në shkurt.

Këto shifra tregojnë se produktet e prodhuara në Kosovë po gjejnë gjithnjë e më shumë hapësirë në tregjet e rajonit.

Megjithatë, pavarësisht rritjes së shitjes së mallrave kosovare në Serbi, raporti tregtar mes dy vendeve vazhdon të mbetet shumë i pabarabartë. Serbia vazhdon të shesë në Kosovë mallra në vlera shumëfish më të mëdha, duke përfituar nga tregu kosovar që është ndër më të hapurit në rajon. /Kujdestari.info/

 

Lexo më shumë

Të tjera