Komuna e Prishtinës ka lëshuar më 25 gusht 2026 një prej lejeve më voluminoze të ndërtimit të këtij viti dhe, sipas regjistrit të lejeve të publikuara deri më tani, lejen më të madhe private për nga sipërfaqja totale ndërtimore. Përfitues i saj është investitori “Marigona Sun” SH.P.K., për ndërtimin e një pjese të kompleksit me të njëjtin emër në Hajvali, shkruan Kujdestari.info.
Leja përfshin 42,464.56 metra katrorë sipërfaqe totale ndërtimore, ndërsa vetëm tarifa për rritjen e densitetit dhe taksa administrative arrijnë së bashku në rreth 539 mijë euro. Për krahasim, në regjistrin e lejeve të vitit 2026, projekti privat i radhës me sipërfaqe të madhe që evidentohet është ai i BTP Holding me 30,167.29 m².
Dokumentacioni i Urbanizmit tregon një proces shumë më të gjatë administrativ për kompleksin “Marigona Sun”, i cili përfundimisht është planifikuar të ketë 157 shtëpi, krahas objekteve afariste dhe përmbajtjeve përcjellëse. Vetë investitori e prezanton aktualisht projektin si kompleks prej 157 shtëpish, me sipërfaqe individuale që variojnë nga 318 deri në 870 m².
Leja e gushtit nuk i përfshin të gjitha 157 shtëpitë. Në aktin e Komunës bëhet fjalë për një pjesë të kompleksit, me 62+7, respektivisht 69 shtëpi, si dhe dy ndërtesa afariste/komerciale. Dokumenti rendit një numër të madh parcelash kadastrale dhe tipologjish të ndryshme të shtëpive. ( Dokument )
Nga 148 në 157 shtëpi pas kërkesës së investitorit
Projekti ka evouluar gjatë procedurës administrative.
Kushtet ndërtimore fillestare, të miratuara nga Drejtoria e Urbanizmit më 20 maj 2024, kishin trajtuar projektin me 148 shtëpi. Por “Marigona Sun”, pas pranimit të vendimit, më 14 qershor 2024 paraqiti ankesë, përkatësisht kërkesë për rishqyrtim dhe zgjerim të kushteve.
Investitori kërkoi përfshirjen edhe të parcelave kadastrale 280-16, 264-8, 265-8 dhe 265-5 në ZK Hajvali. Drejtoria e Urbanizmit e pranoi ndryshim-plotësimin më 14 gusht 2024 dhe në projekt u shtuan nëntë shtëpi të tjera, duke e çuar numrin e përgjithshëm nga 148 në 157 shtëpi.
PZHK-ja dhe një vendim i Kryetarit të vitit 2015
Një çështje tjetër që del nga dokumentacioni është baza planifikuese mbi të cilën janë përcaktuar kushtet.
Komuna në vendimin për kushtet ndërtimore i referohet Planit Zhvillimor Komunal – PZHK, ndërsa në përcaktimin e disa parametrave urbanistikë përdoret edhe Vendimi i Kryetarit të Komunës së Prishtinës, 01 nr.031-185481, i datës 14 gusht 2015.
Ky vendim nuk është një dokument pa rëndësi praktike. Në raste të tjera, Drejtoria e Urbanizmit e ka përdorur atë për parametrat e gjelbërimit, termoizolimit dhe shfrytëzimit të parcelave.
Pikërisht përdorimi i këtij vendimi ka qenë më herët objekt i një mosmarrëveshjeje institucionale ndërmjet Komunës dhe MMPHI-së në një rast tjetër ndërtimor në Prishtinë. Sipas një vendimi të Ministrisë MMPHI nuk e kishte marrë për bazë vendimin e Kryetarit të vitit 2015 për tejkalimin e një parametri të përcaktuar nga dokumenti planifikues. Komuna, nga ana tjetër, kishte argumentuar se vendimi vazhdonte të ishte akt juridik në fuqi. Ky rast nuk lidhet me Marigona Sun dhe nuk dëshmon se leja e këtij kompleksi është e kundërligjshme, por tregon se mënyra e përdorimit të këtij vendimi ka qenë më parë objekt i interpretimeve të kundërta institucionale.
Tokë bujqësore dhe ndryshimi i destinimit
Në procedurën e kushteve është trajtuar gjithashtu çështja e parcelave me destinim bujqësor. Vendimi kërkonte që për parcelat përkatëse të kryhej procedura e ndryshimit të destinimit në Ministrinë e Bujqësisë dhe të paguhej kompensimi përkatës.
Dokumentacioni i mëvonshëm i lejes thotë se aplikuesit, para kërkesës për leje, kishin përfunduar procedurat e bashkimit dhe ndarjes së parcelave, si dhe procedurën e ndryshimit të destinimit. Për këtë arsye, vetëm ekzistenca e mëhershme e tokës bujqësore nuk mund të paraqitet si parregullsi pa dokumente që tregojnë se procedura nuk është përfunduar siç kërkohej.
Për një kompleks që nga 148 u zgjerua në 157 shtëpi, dhe ku vetëm një leje e vitit 2026 përfshin mbi 42 mijë metra katrorë ndërtim, do të ishte me interes që Drejtoria e Urbanizmit të sqarojë publikisht se cilët parametra burojnë drejtpërdrejt nga PZHK-ja, cilët nga vendimet plotësuese të Komunës dhe nëse zgjerimi me nëntë shtëpi ndryshoi dendësinë apo ngarkesën infrastrukturore të projektit.
Në fund, vetë dokumentet e Komunës tregojnë përmasën: për këtë leje janë llogaritur 258,689.86 euro tarifë për ndikimin nga rritja e densitetit dhe 280,847.98 euro taksë administrative, gjithsej 539,537.84 euro. /Kujdestari.info/