Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka shpenzuar mbi 83 mijë euro për shërbime reklamimi dhe propagandë në Meta (Facebook) gjatë fushatës së zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës më 9 shkurt 2025, sipas raportit të auditorit, shkruan Kujdestari.info.
Raporti auditues konfirmon se pasqyrat financiare të LDK-së paraqesin një pamje të drejtë dhe të saktë të shpenzimeve dhe të hyrave gjatë periudhës 16 gusht 2024 – 9 shkurt 2025. Nga shpenzimet totale për fushatë prej rreth 358 mijë euro, pjesa më e madhe – 330 mijë euro ka shkuar për reklama, reprezentacion dhe konferenca, ku përfshihet edhe pagesa për Meta Platforms Ireland Limited prej 83,820.89 euro.

Përveç kësaj, raporti konstaton se dy nga kontraktuesit që marrin tenderë nga Komuna e Prishtinës dhe që lidhen me LDK-në – AMC CORPORATION SH.P.K. (80,300 euro) dhe Selmans Network SH.P.K. (36,000 euro) kanë qenë gjithashtu të kontraktuar nga partia e Abdixhikut, duke evidentuar lidhjet financiare dhe operative midis subjekteve private dhe strukturave të partisë gjatë periudhës së fushatës.

Raporti tregon gjithashtu se LDK kishte më shumë se një llogari bankare; njëra aktive në NLB Banka dhe tjetra pasive në Banken Ekonomike, e cila ende nuk është mbyllur plotësisht për shkak të procedurave kontestimore. Auditori nuk ka konstatuar gabime materiale apo shenja mashtrimi, duke dhënë opinion të pakualifikuar për pasqyrat financiare.
Donacionet e marra gjatë periudhës përfshijnë 94,160 euro në para, nga të cilat disa nga dhuruesit më të mëdhenj ishin kompani si TLD SH.P.K., KABASHI HOLDING dhe AD COMPANY. Shpenzimet e tjera të fushatës përfshijnë transportin, ushqimin dhe gjobat, por pjesa më e madhe e buxhetit është orientuar drejt fushatës në rrjetet sociale dhe media. /Kujdestari.info/