E martë, 16 Dhjetor, 2025

​Lansohet ankandi i parë për energji me erë, priten investime mbi 200 milionë euro

Ndaj

Ministria e Ekonomisë ka publikuar thirrjen për propozime për ankandin e parë për energji me erë deri në 100 MW. Në lansimin e kësaj thirrje u tha se Kosova ka potencial në këtë fushë, meqë rreth 17 për qind e territorit të vendit ka era të qëndrueshme. Po ashtu, të martën u potencua se energjia e ripërtërishme është zgjedhja më e mençur ekonomike.

Në ceremoninë e lansimit, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se ky ankand do të thotë më shumë prodhim vendor dhe më pak varësi nga importi.

“Sot me publikimin e kërkesës për propozime e qojmë përpara edhe ankandin e parë të erës, një proces konkurrues për kapacitet të synuar deri në 100 MW me skemën mbështetëse 15 vjeçare. Çfarë e bënë këtë projekt të rëndësishëm për Kosovën, e para është se burimet e erës na ndihmojnë pikërisht aty ku kemi nevojë më shumë, në orët e mbrëmjes dhe në muajt e ftoftë kur kërkesa për energji rritet, pra profili i prodhimit nga era përputhet mirë me profilin tonë të konsumit si vend. Prandaj kjo nuk është vetëm energjie e pastër por energji shume e dobishme për sigurinë tonë energjetike dhe pavarësinë tonë energjetike. Së dyti, Kosova ka një potencial real në këtë fushë, rreth 17 për qind e territorit të vendit ka era të qëndrueshme mbi 6 metër për sekond dhe në zonat malore shpejtësi shkon deri 8 metër për sekond që janë kushte optimale për zhvillim të kapaciteteve të erës mbi mesataren e vendeve evropiane”, tha ajo.

I ngarkuari me punë në Ambasadën Gjermane në Prishtinë, Christian Böttcher theksoi se ky ankand do të ketë kontribut të madh në investimet vendore.

“Ankandi i parë diellor i Kosovës vitin e kaluar dëshmoi se proceset konkurruese mund të japin rezultate të forta. Tani pres me padurim të shoh që si panelet diellore ashtu edhe turbinat e erës të kalojnë nga planifikimi në ndërtim. Po ashtu, duhet ta pranoj se jam vërtet i mahnitur nga kjo teknologji moderne dhe më pëlqen ta shoh në veprim. Energjia e ripërtëritshme nuk është vetëm opsioni më i pastër për Kosovën, por gjithnjë e më shumë edhe zgjedhja më e mençur ekonomike. Edhe pa marrë parasysh kostot mjedisore dhe shëndetësore, burimet e ripërtëritshme mund të konkurrojnë me prodhimin konvencional. Dhe sapo këto kosto të merren parasysh, ashtu siç duhet në rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian, argumenti në favor të energjisë së ripërtëritshme bëhet i qartë dhe i pashmangshëm. Duke parë përpara, qartësia afatgjatë e politikave mbetet thelbësore. Instrumente të tilla si plani kombëtar i energjisë dhe klimës dhe strategjia e dekarbonizimit janë kyçe për të ofruar parashikueshmëri për investitorët dhe institucionet njësoj”,u shpreh ai.

Po ashtu, ai tha se Gjermania pret që përkushtimi i Kosovës të jetë në tranzicionin e gjelbër energjetik.

“Dhe me zgjedhjet që po afrohen për më pak se dy javë, më lejoni të nënvizoj shumë qartë një pikë. Gjermania pret që përkushtimi i Kosovës ndaj tranzicionit të gjelbër energjetik të mbetet i fortë dhe i qëndrueshëm, pavarësisht cikleve politike dhe se cila parti do të formojë koalicione dhe do të udhëheqë qeverinë. Gjermania është krenare që e mbështet Kosovën në këtë rrugë. Përmes partneritetit tonë rajonal për klimën me Ballkanin Perëndimor dhe bashkëpunimit tonë bilateral për zhvillim, ne po mbështesim energjinë e ripërtëritshme, modernizimin e rrjetit, efiçiencën energjetike dhe reformat e politikave”, shtoi ai.

Projekti i energjisë me erë është ndër projektet më të mëdha infrastrukturore në vend, tha përfaqësuesi i Korporatës Ndërkombëtare të Financave (IFC) për Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, Visar Perani.

“Është hera e parë që kemi një ankand me erë, një projekt relativisht kompleks, mirëpo që e kemi parë në shumë vende të botës dhe pse mos ta bëjmë edhe në Kosovë. Kështu që jemi shumë krenar për këtë. Projekti është deri në 150 MË, është faza e parë. Kemi tre konkurrentë që do të ofertojnë dhe jemi shumë të kënaqur që me shpalljen e parë i kemi pasur tre ofertues që janë kualifikuar, të gjithë me përvojë të shkëlqyeshme dhe besoj që do të kenë oferta të shkëlqyeshme. Ky projekt është ndër projektet më të mëdha infrastrukturore në Kosovë, se kur të implementohen 150 megavat që parashihen në dy fazat, investimet do të jenë mbi 220-230 milionë euro”, tha ai.

Lexo më shumë

Të tjera