E martë, 19 Gusht, 2025

Kuvendi dhe konflikti i interesit paralizojnë Autoritetin e Konkurrencës

Ndaj

Prej 9 muajsh Autoriteti i Konkurrencës së Kosovës ka bllokuar vendimmarrjen në rastet e shkeljeve të kompanive të ndryshme që presin me vite, për shkak të mungesës së kuorumit dhe konfliktit të interesit në Komisionin Drejtues, si dhe vonesave që po sjell moskonsituimi i Kuvendit.

Kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës, Neime Bunjaku, thotë se problemet e përsëritura ku anëtarët e Komisionit Drejtues gjenden në konflikt interesi kanë paralizuar marrjen e vendimeve.

“Në këtë rast është nënkryetarja, Kaltrina Sela për të cilin ka dy vendime të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit dhe rastet janë në prokurori”, deklaron ajo për Radio Kosovën.

Aktualisht Autoriteti i Konkurrencës, ka në detyrë 3 nga 5 anëtarë të komisionit drejtues dhe do të kishte kuorum sikur njëri nga anëtarët të mos ndodhej në konflikt interesi.

Bunjaku thotë se vitin e kaluar vazhdimisht i kishte kërkuar Kuvendit të veprojë konform mandatit për agjencitë e pavarura, por nuk kishte marrë ndonjë përgjigje.

Kuvendi nuk i ishte përgjigjur as kërkesës së kreut të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Ylli Buleshkaj, për veprime në këtë rast.

“I kemi kërkuar kreut të Kuvendit, Glauk Konjufcës, që ky rast të shqyrtohet”, thotë Buleshkaj për Radio Kosovën.“Kuvendi kur e sheh se në mënyrë të vazhdueshme një zyrtar është në konflikt interesi duhet ta largojë, sepse shkeljet janë jo vetëm kur merr pjesë por edhe kur tërhiqet”, thekson ai.

Vendimi i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit i sugjeron Autoritetit të Konkurrencës se anëtari i komisionit duhet të tërhiqet nga pozitat.

“Edhe tërheqja e vazhdueshme e dërgon dikah vendimmarrjen ngase vendimi mund të shtyhet p.sh për 3 ditë dhe për këtë kohë dikush mund ta kryej një çështje”, thotë Buleshkaj.

”Ligji e parasheh që nëse personi vazhdimisht bie në konflikt interesi ai duhet të largohet sepse nuk është për atë pozitë”, shton ai.

Kaltrina Sela, zëvendëskryetare e Autoritetit të Konkurrencës për rastin e së cilës Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka konstatuar se pozicioni i saj përbën konflikt interesi, në vendimet për disa operatorë kabllorë si dhe rastet kur ajo ka bërë kallëzim penal në prokuror, nuk është përgjigjur në kërkesën e RTK-së për koment.

Përgjigje të qartë nuk ka dhënë as ProkuroriaThemelore në Prishtinë, ku po trajtohen tri kallëzime të ndryshme penale, për konflikt interesi dhe çështje tjera të vendimmarrjes në Autoritetin e Konkurrencës.

Moskonstituimi i Kuvendit për një kohë të gjatë ka thelluar problemet në këtë agjenci dhe Bunjaku thotë se vonesat e moskosntituimin të Kuvendit po thellojnë problemet.

“Në këtë situatë ne nuk mund të marrim asnjë vendim. Me keqardhje them se dëmet janë të pariparueshme”, thotë ajo.

Ndërkohë mungesa e kuorumit në komisionin drejtues ka bërë që shumë shkelje në fushë ne telefonisë mobile, kabllorëve dhe raste të tjera të mbesin pezull për më shumë se një vit.

Lexo më shumë

Të tjera