Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se Kosova është më e sigurt dhe më e fortë ekonomikisht se pesë vjet më parë. Sipas tij, Kosova ka borxhin më të ultë publik në Evropë dhe se indikatorët ndërkombëtarë tregojnë më pak krim të organizuar e më pak korrupsion.
Këto deklarata Kurti i bëri para përfaqësuesve të më shumë se 200 bizneseve në konferencë vjetore të organizuar nga Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), ku është prezantuar performanca industriale për këtë vit dhe planet për mbështetje për vitin e ardhshëm.
Kurti tha se Kosova ka konfirmuar se është një prej historive më të mira të suksesit në rajon.
“Një vend më i sigurt, më demokratik dhe financiarisht më i qëndrueshëm. Indikatorët ndërkombëtarë tregojnë më pak krim të organizuar, shumë më pak korrupsion, më shumë sundim të ligjit dhe një demokraci e cila forcohet nga viti në vit. Borxhi ynë publik është më i ulëti në Evropë, rreth 16 për qind të bruto produktit vendor, që ka mundësuar që Qeveria e Kosovës të ketë politika sovraniste. Pastaj rritja ekonomike mbi katër për qind. Vlerësimi kreditor sovran i kredituar. Sektori bankar përgjithësisht i kapitalizuar mirë. Këto nuk janë vetëm numra për raporte, por garanci për juve, investitorë e sipërmarrës, se Kosova është një adresë serioze për investime afatgjata. Ky stabilitet dhe kjo demokraci nuk janë luks politik, janë themeli mbi të cilin ndërtohet zhvillimi ekonomik. Kur qytetarët ndihen të sigurt natën, kur gjykatat janë më të pavarura, kur administrata është më profesionale, atëherë edhe një investitor nga Zvicra, Gjermania apo diaspora jonë e sheh Kosovën jo më si rrezik, por si një shans. Dhe ajo që është e rëndësishme ta theksoj është që ky progres është për të gjithë qytetarët”, deklaroi Kurti.
Në këtë konferencë vjetore, Kurti tha se ekonomia e vendit është rritur mesatarisht rreth gjashtë për qind për pesë vjet. Ai shtoi se të hyrat buxhetore kanë tejkaluar shifrën 3 miliardë euro.
“Papunësia është edhe më shumë se e përgjysmuar. Mbi 85 mijë vende të reja të punës janë të regjistruara, eksportet janë dyfishuar, kurse investimet e huaja direkte janë rritur mbi dyfish krahasuar me qeveritë e kaluara. Qeveria mund të krijojë kushtet, por këto rezultate i keni prodhuar ju me punën, me rrezikun dhe inovacionin tuaj. Ne jemi munduar që mos t’iu pengojmë, e jo rrallë edhe t’iu ndihmojmë. Por ky sukses ju takon mbi të gjitha juve. Ju e bartni barrën e punësimit dhe jeni faktori kryesor i zhvillimit. Gjatë qeverisjes sonë e kemi ulur barrën administrative, kemi digjitalizuar shërbimet, kemi reformuar legjislacionin për investime, konkurrencë, tregti dhe mbrojtje të konsumatorit, në harmoni që të gjitha këto me standardet e BE-së. Kemi mbështetur me dhjetëra miliona euro, garanci kreditore dhe programe për eksport mbi 1 mijë biznese prodhuese e eksportuese dhe kemi përkrahur qindra biznese të grave dhe të të rinjve”, shtoi Kurti në këtë konferencë vjetore.