E premte, 13 Mars, 2026

Kurti: Ligjet për byronë shtetërore dhe çmimet tavan, prioritete të Qeverisë

Ndaj

Kabineti i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, e ka miratuar të premten një program legjislativ dyvjeçar, i cili përfshin dy ligje të rëndësishme, si ai për byronë shtetërore për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe ligjin për çmimet tavan.

Duke folur në mbledhje të Qeverisë, Kurti tha se këto dy ligje janë prioritet i tij në dy vjetët e ardhshme.

“Do të vazhdojmë me vendosmëri për të sjellë ligje të qarta e cilësore në dobi të qytetarëve dhe sundimit të ligjit”, tha Kurti.

Kjo është një përpjekje e re e Kurtit për t’i fuqizuar këto ligje, pasi Gjykata Kushtetuese ia kishte rrëzuar që të dyja gjatë mandatit të kaluar katërvjeçar.

Programi legjislativ është lista zyrtare e projektligjeve që Qeveria synon t’i hartojë dhe t’i dërgojë për miratim në Kuvend brenda një periudhe të caktuar.

Ligjin për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme

Gjykata më e lartë e vendit ia rrëzoi Kurtit dy herë ligjin për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, së pari më 2024 dhe pastaj në fillim të këtij viti.

Ky ligj synon që të gjithë zyrtarët publikë në Kosovë të jenë subjekt i verifikimit të pasurisë nëse ka kishte dyshime se ajo është fituar në mënyrë të kundërligjshme.

Kushtetuesja tha në vendimin e janarit se e shfuqizoi ligjin për byronë sepse ai u miratua me “shkelje të rënda procedurale dhe kushtetuese”.

Sipas saj, Kuvendi e përdori në mënyrë të pajustifikuar shmangien nga afatet procedurale, duke mos u dhënë deputetëve dhe komisioneve kohë për shqyrtim, debat dhe amendamente, në kundërshtim me nenet 74, 76 dhe 77 të Kushtetutës.

Ligji për çmimet tavan

Ligji për çmimet tavan ishte shpallur i pavlefshëm nga Gjykata Kushtetuese në vitin 2023.

Asokohe, gjykata kishte theksuar se ai nuk ishte në përputhje me Kushtetutën e vendit.

Qeveria e kishte arsyetuar ligjin për shkak të “rritjes së paarsyeshme të çmimeve bazë dhe ankesave të shumta të qytetarëve, lidhur me rritjen e menjëhershme të çmimeve te të gjitha produktet bazë”.

Sipas qeverisë, ligji do të aplikohej në raste të veçanta të destabilizimit në treg.

Ligji, tashmë i shpallur i pavlefshëm, i konsideronte produkte themelore drithërat, bukën, miellin, orizin, pastat, vajin ushqimor të lulediellit, qumështin, kripën e kuzhinës, vezët e pulës, mishin e pulës, sheqerin kristalor, produktet e higjienës personale dhe lëndët e drurit për djegie. /rel

Lexo më shumë

Të tjera