E mërkurë, 4 Mars, 2026

Kurti: Buxheti i 2026 përfshinë rritjen e pensioneve e shtesave për fëmijë

Ndaj

Kryeministri Kosovës, Albin Kurti në seancën plenare u po shqyrtohet projektbuxheti për vitin 2026 tha se në këtë dokument financiar përfshihet edhe rritja e pensioneve, rritja e shtesave për fëmije, shtesave për lehona, pagesave për të rinj, dhe gratë që angazhohen nga superpuna e kompletimi i reformës së asistencës sociale.

Kurti tha se synimi i tyre vjen nga orientimi që rritjen të mos e mbajnë për shtet, por ta shpërndajnë në  shoqëri.

“Zotimet që i kemi thënë në fushatën e fundit, natyrisht që janë të përmbledhura në ekspozenë që kam bërë me 11 shkurt kur u rizgjodha kryeministër, por para se ajo ekspoze të shndërrohet në buxhet të ri, duhet të vijë tek ju programi qeveritar. Do të ishte jo normale që ne këtu të sjellim buxhet në përputhje me ekspozenë, pa e sjellë paraprakisht programin qeveritar”, tha ai.

Kurti tha se kryefjala e këtij buxheti është shifra prej afër 4 miliardë euro. “Ku rreth 1milird euro janë buxhetuar për invesitme kapitale. Natyrisht risi, por e paralajmëruar e këtij buxheti është paga e 13-të për të gjithë punonjësit e sektorit publik. Pra, kush punon 12 muaj në sektorin publik i merr 13 paga, dhe kjo sivjet nuk do të jetë në fund të vitit, por në pranverë. Gjithashtu, është i përfshirë edhe zbatimi i rritjes së pagës bazë me 0,5 për qind për çdo vit përvojë punë për dallim të asaj që kemi pasur më herët kur për 15 vitet e para zbatohej rritje vetëm 0,25 për qind për çdo vit pune. Pra kemi dyfishim të shtesës së përvojës së punës. kjo përkthehet në rritje, pra për pagën e secilit që punon në sektorin publik varësisht nga vitet e punës”, deklaroi Kurti.

Kreu i qeverisë foli edhe për rritjen e importit. Tha se kjo vjen edhe nga eliminimi i kontrabandës.

“Sa i përket rritjes së importeve, ajo vjen jo vetëm nga rritja e fuqisë blerëse, sepse siç thash më herët ne kemi rritur kërkesën agregate në këtë shpërndarje, dhe gjithashtu kjo vjen nga fakti që është eliminuar kontrabanda. Janë 37 rrugë ilegale që janë mbyllë asnjë  e mbanë Kosovë, prej tyre 27 në veri”, deklaroi Kurti.

Shefi i qeverisë ka paralajmëruar se në kuvend do ta ridërgojnë Ligjin për Çmimet Tavan përmes së cilit tha se do të frenohet abuzimi me çmime.

“Është e vërtetë që ka pasur rritje të çmimeve të produkteve bazë, por ato do të kenë tavan së shpejti. Ju e dini që ne kemi propozuar Ligjin për Çmimet Tavan për Produktet Bazë i cili ka pasur një adresim në formë ankese nga opozita në Gjykatën Kushtetuese. Ne do ta sjellim ligjin dhe do ta frenojmë abuzimin me çmime. Ne nuk jemi kundër fitimit të korporatave, por ne jemi kundër super profitit në kurriz të qytetarëve që paraqet abuzim me mirëqenien e popullsisë”, tha Kurti para ligjvënësve në seancën ku po diskutohet për buxhetin e Republikës.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka kritikuar projektbuxhetin e vendit për vitin 2026, të cilin e ka prezantuar në seancën e sotme të Kuvendit, ministri i Financave, Hekuran Murati. Hamza tha se buxheti i propozuar është një buxhet që menaxhon status quo-në.

Sipas tij, me këtë buxhet nuk ka investime, por ka keqësim të gjendjes.

“Projektbuxheti i propozuar për vitin 2026 është buxhet që menaxhon status quo-në, kjo si rezultat  i rritjes së shpenzimeve operative dhe posaçërisht te transferet dhe subvencionet. Kjo ndikon në rritjen e konsumit në periudhë afatshkurte, por në periudhë afatgjate si rritje e shpenzimeve rrjedhëse e zvogëlon hapësirën për investime kapitale”, tha ai.

Sipas tij këto shpenzime të rritura për subvencione dhe transfere e zvogëlojnë hapësirën fiskale për periudhat e ardhshme, e që sipas Hamzës sigurisht do të ndikojnë në pamundësinë e zgjerimit të bazës prodhuese dhe eksportuese.

Hamza tutje tha se nuk e kupton urgjencën e procesimit të Projektligjit të buxhetit 2026.

“Ne nuk duam dhe nuk lejojmë vonesa, por pse kjo urgjencë? Vetëm dy arsye më shkojnë ndërmend; E para që t’u pamundësohet deputetëve, pozitë e opozitë që me diskutimet e tyre të japin edhe propozime e alternativa, dhe e dyta, nuk dua të besoj që kjo lidhet me çështjen e zgjedhjes së presidentit”, është shprehur ai.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku e ka quajtur jokushtetues dhe antiligjor projektligjin e buxhetit të vitit 2026, sipas tij, për tri arsye.

Ai tha se koha shtesë për shqyrtimin e projektligjit që rezultoi me shtyrjen e seancës deri më sot, ishte kohë për reflektim të Qeverisë në tri elemente. Ai tha se e para është për reflektimin e për kabinetin qeveritar, më konkrektisht për katër ministritë e reja. Sipas tij buxheti i këtyre ministrive duhet të ndahet nga Kuvendi i Kosovës dhe jo nga Ministria e Financave.

“Buxheti të reflektojë ekspozenë që Kurti e prezantoi ditën e formimit të Qeverisë, në mënyrë që ato zotime të dhëna mos të jenë veç fjalë por të kenë kuptim të vërtetë. Një ekspoze pa buxhet mbetet vetëm një platformë e fjalëve të thata, që duket jo befasueshëm do të jetë rasti këtu”, tha ai për pikën e dytë të kundërshtimit.

Abdixhiku së treti kritikoi mos përfshirjen e buxhetit për kryeqytetit, duke theksuar se Prishtina ka miratuar buxhetin më 6 shkurt 2026, ndërkaq buxheti i Kosovës është sjellë në 13 shkurt 2026 në Kuvend. Sipas tij, nuk ka asnjë arsye që Kuvendi mos të marrë parasysh vendimin e marrë nga Asambleja Komunale e Prishtinës.

“Buxheti i Kosovës të reflektojë ligjshmërinë dhe kushtetueshmërinë, e kam fjalën për buxhetin e kryeqytetit. Paradoksalisht ky buxhet i Kosovës nuk e merr parasysh buxhetin e kryeqytetit të vet. Është jashtëzakonisht shqetësuese sesi Kuvendit i sjellet një dokument që nuk respekton vendimarrjen autonome të kryeqytetit të vet dhe menjëherë bëhet jo kushtetues”, ka thënë ai.

Tutje Abdixhiku ka thënë se ky buxhet do të bëjë që Kosova të vazhdojë të jetë “vendi më i varfër në Evropë”.

Lexo më shumë

Të tjera