E mërkurë, 17 Dhjetor, 2025

Shkolla e Muzikës në Mitrovicë ngec në lojën e tenderëve të dështuar

Ndaj

Tenderi për ndërtimin e Shkollës së Muzikës në Mitrovicë Jugore është shndërruar në një rrjet parregullsish dhe vonesash që rrezikojnë realizimin e projektit. Bazuar në monitorimin e Demokracy Plus, procesi i prokurimit ka shkelur në mënyrë të përsëritur ligjin dhe rregulloret e prokurimit publik, shkruan Kujdestari.info.

Projekti filloi në vitin 2022, me një buxhet prej 450,000 euro, sipas marrëveshjes së komunës me MAPL dhe Helvetas Swiss Intercooperation (DEMOS). Por, mungesa e një vlerësimi real të kostos solli anulimin e procedurës dy herë radhazi, për vitin 2022 dhe 2023, pasi ofertat tejkalonin fondin e parashikuar.

Për të vazhduar, Komuna qw udhëhiqet nga Bedri Hamza, rinisi tenderin me një vlerë të rritur dhe afat të shkurtuar për dorëzimin e ofertave në vetëm 22 ditë, duke shkelur afatin ligjor prej 40 ditësh për kontrata me vlerë të madhe.

Analiza e raportit të Demokracy Plus zbulon se dosja e tenderit nuk përmbante specifikimet teknike të detyrueshme, duke përmendur vetëm produkte të caktuara dhe jo “ose ekuivalent”. Për më tepër, identiteti i operatorit që kërkoi sqarime shtesë u bë publik, në shkelje të rregullave për prokurim publik.
Në korrik 2023, Komuna rekomandoi për kontratë operatorin Termomontimi Sh.P.K me një ofertë 29.7% mbi buxhetin e parashikuar. GEO Astraplan Sh.P.K & U – Unique Sh.P.K kontestoi vendimin, duke kërkuar respektimin e barazisë së operatorëve. Kërkesa e tyre u refuzua fillimisht, por më pas OShP-ja anuloi vendimin dhe kërkoi rivlerësim.

Gjatë fazës së rivlerësimit, Komuna vazhdoi të miratonte oferta që tejkalonin buxhetin dhe të anulonte procedurat, duke ngritur dyshime për favorizim të operatorëve të caktuar dhe cënim të integritetit të procesit.

Pasojat për projektin dhe fondet
Përmes anulimeve të përsëritura dhe vonesave të paarsyeshme, projektit i kërcënohet humbja e fondeve të bashkëfinancuara nga DEMOS, të cilat duhej të shfrytëzoheshin deri në fund të vitit 2023. Parregullsitë procedurale ngrejnë pyetje serioze për transparencën dhe menaxhimin e fondeve publike nga Komuna e Mitrovicës Jugore.

Tabela e ofertave të paraqitura:

Operator Vlera e ofertës
Termomontimi Sh.P.K 713,280.88€
GEO EBK Sh.P.K & Univers-MI & Bujar Godeni P.N 522,580.43€
GEO Adnan Bislimi & World Medium & Bill Term & LimitProject 548,558.87€
GEO Astraplan Sh.P.K & U – Unique Sh.P.K 666,666.66€
N.N. 100% Desing Sh.P.K 808,280.63€

 

Në këtë mënyrë, historia e Shkollës së Muzikës nuk është thjesht për një projekt arsimor, por një shembull i qartë se si parregullsitë dhe vonesat administrative mund të pengojnë realizimin e investimeve publike, duke rrezikuar jo vetëm buxhetin, por edhe besimin e qytetarëve. /Kujdestari.info/

E gjetura e D+:

6.1. Ndërtimi i Shkollës së Muzikës në Mitrovicë
Komuna e Mitrovicës Jugore, në bazë të marrëveshjes së nënshkruar më 1 qershor 2022 me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) dhe Helvetas Swiss Intercooperation (DEMOS) për mbështetje financiare të projektit, ka iniciuar procedurën e prokurimit për ndërtimin e Shkollës së Muzikës, me një vlerë të parashikuar prej 450,000.00 euro64.

Megjithatë, sipas rregullave për prokurim publik, autoriteti kontraktues është i obliguar të bëjë një parallogaritje të arsyeshme dhe reale të vlerës së kontratës përpara nisjes së procedurës, duke pasur parasysh efikasitetin, efektivitetin e kostos dhe përdorimin transparent të fondeve publike65. Në këtë rast, dështimi për të bërë një vlerësim të tillë të saktë rezultoi me anulimin e procedurës së vitit 2022 dhe 2023, pasi ofertat e pranuara rezultonin të papërgjegjshme dhe tejkalonin vlerën e parashikuar të kontratës.

Me qëllim të realizimit të projektit, Komuna e Mitrovicës Jugore, disa ditë pas anulimit rinisi aktivitetin e prokurimit, përmes një procedure të hapur, me një vlerë të rritur prej 100,000.00 euro. Krahas ndryshimit të vlerës së kontratës, AK vendosi që kundërligjshëm të aplikoj shkurtim të afatit ligjor për pranim të ofertave në 22 ditë, duke devijuar nga afati ligjor 40 ditor i paraparë për kontratat me vlerë të madhe66. Ky veprim u arsyetua me faktin se procedura ishte ritenderuar me të njëjtat kritere të dhënies së kontratës dhe se ekzistonte një nevojë emergjente për përfundimin e punëve të financuara nga DEMOS.
Nga shqyrtimi i dokumentacionit të tenderit, AK, për këtë tender të llojit punë, në Aneksin 1 të Dosjes së Tenderit nuk ka përcaktuar specifikimet teknike të detyrueshme, siç parashihet me nenin 28 të LPP-së67. Specifikimet janë përfshirë vetëm përmes Listës së Çmimeve, e cila nuk përmban përshkrime të detajuara për secilin produkt. Për më
tepër, në këtë listë janë referuar produkte të caktuara, pa përdorur termin “ose ekuivalent”, gjë që bie në kundërshtim me paragrafin 7 të nenit 28 të LPP-së, i cili ndalon referimin ekskluziv ndaj produkteve specifike.
Tutje, Komuna e Mitrovicës Jugore ka vepruar në kundërshtim edhe me Rregulloren e Prokurimit Publik, përkatësisht me rastin e publikimit të sqarimit të Dosjes së Tenderit, duke zbuluar identitetin e operatorit ekonomik që kishte kërkuar informacion shtesë68. Pavarësisht mangësive ligjore dhe procedurale, Komuna e Mitrovicës Jugore me datë 4 korrik 2023 apo 51 ditë pas afatit të paraparë ligjor rekomandon për dhënie të kontratës operatorin ekonomik Termomontimi Sh.P.K me vlerë të ofertës 713,280.00 euro, duke tejkaluar vlerën e parashikuar të kontratës për 29.7%.

 Operatorët ekonomikë ofertues në këtë tender.
Nr. Emri i operatorit ekonomik Vlera e ofertës
1. Termomontimi 713,280.88€
2. GEO EBK Sh.P.K & Univers-MI & Bujar Godeni P.N 522,580.43€
3. GEO Adnan Bislimi & World Medium & Bill Term & LimitProject 548,558.87€
4. GEO Astraplan Sh.P.K & U – Unique Sh.P.K 666,666.66€
5. N.N. 100% Desing Sh.P.K 808,280.63€
GEO Astraplan Sh.P.K & U – Unique Sh.P.K., që kishte ofertuar në ketë tender përmes kërkesë për rishqyrtim pranë AK-së, kontestuan vendimin për rekomandim të dhënies së kontratës, me pretendimin se nuk është respektuar barazia e operatorëve ekonomikë, përfshirë edhe ekzaminimin, vlerësimin dhe krahasimin e tenderëve. Kjo kërkesë
u refuzua si e pabazuar vetëm një ditë më vonë, pa respektuar rregullat për pezullimin e aktivitetit të prokurimit, siç parashihet me nenin 108/A të LPP-së.

Si rezultat i parregullsive të identifikuara në menaxhimin e këtij aktiviteti të prokurimit nga Komuna e Mitrovicës Jugore, ishte parashtruar ankesë në OShP. Ky organ vendosi në favor të operatorit ekonomik ankues (GEO Astraplan Sh.P.K & U – Unique Sh.P.K), duke anuluar vendimin për dhënien e kontratës dhe kthyer çështjen në rivlerësim, me arsyetimin se autoriteti kontraktues kishte vepruar në kundërshtim me nenet 59, 60 dhe 72 të LPP-së69. 135 ditë pas vendimit të OShP-së për rivlerësim të aktivitetit të prokurimit, komisioni rivlerësues deklaron se “operatorët ekonomik të cilët janë brenda vlerës së parashikuar nuk i plotësojnë kushtet dhe kriteret në Njoftim për Kontratë dhe Dosje të Tenderit, ndërsa operatorët tjerë që e tejkalojnë vlerën e parashikuar AK, gjegjësisht njësia
e kërkesës nuk ka mundësi të buxhetojë këtë projekt mbi vlerë të parashikuar“. Përkitazi me rekomandimin e komisionit vlerësues, AK anuloi procedurën e prokurimit, ndonëse në vlerësimin fillestar kishte rekomanduar për kontratë një operatorë ekonomik që e tejkalonte vlerën e parashikuar për 29.7%, apo për 46,614.22 euro më shumë se oferta e operatorit ankues.

Ky vendim u apelua edhe njëherë tjetër përmes kërkesë për rishqyrtim nga GEO Astraplan Sh.P.K & U – Unique Sh.P.K, në të cilën u listua një numër i madh i pretendimeve ndaj autoritetit kontraktues për shkak të moszbatimit të LPP-së në mënyrë të drejtë dhe të barabartë për të gjithë operatorët ekonomikë. Komuna e Mitrovicës Jugore, pas tejkalimit të afateve ligjore për shqyrtim të kërkesës për rishqyrtim, ka aprovuar atë duke mos argumentuar secilin pretendim ankimor siç parashihet në nenin 108/A të LPP-së70.

Gjatë fazës së tretë të rivlerësimit, AK kërkon sqarime shtesë nga GEO Astraplan Sh.P.K & U – Unique Sh.P.K për dokumente të cilat paraprakisht ishte eliminuar si operatorë i papërgjegjshëm. Me qëllim të zbatimit dhe respektimit të njërit nga parimet më të rëndësishme në prokurim publik, që është ai i ekonomicitetit dhe efikasitetit, AK gjatë procesit të vlerësimit71 është dashur të veprojë në përputhje me paragrafin 10 të Udhëzuesit Nr. 001/2023 për Prokurim Publik, i cili përcakton mënyrën e veprimit të AK-së në pajtim me nenin 72 dhe nenin 59 të LPP-së.72. Kjo është konfirmuar edhe në vendimin e OShP-së nr. 2024/0773, ku theksohet se noterizimi i certifikatës ISO konsiderohet si devijim i vogël.

Vendimi i OShP-së është marrë në vijim të ankesës së paraqitur nga GEO Astraplan Sh.P.K & U – Unique Sh.P.K, e cila pasoi anulimin e aktivitetit të prokurimit për shkak të mungesës së operatorëve ekonomikë të përgjegjshëm, si dhe refuzimin nga ana e AK-së për të pranuar kërkesën për rishqyrtim, ndonëse ky i fundit, më 02.07.2025, kishte kërkuar dy herë me radhë sqarime shtesë nga GEO në fjalë. Megjithatë, AK ka aprovuar si të bazuar kërkesën për rishqyrtim të Termomontimit Sh.P.K, pavarësisht se OShP në vendimin Nr. 0508 e kishte cilësuar atë si të papërgjegjshëm për shkak të mosplotësimit të kritereve të përcaktuara në Dosjen e Tenderit dhe Njoftimin për Kontratë.

Në fund të dhjetorit 2024, përkatësisht 618 ditë pas inicimit të procedurës, AK ka vendosur të anulojë përfundimisht procedurën e prokurimit. Megjithë shkeljet e konstatuara në dy vendimet paraprake të OShP-së, në vendimin mbi ankesën e fundit, OShP-ja ka lënë në përgjegjësi të plotë të AK-së vendimin për anulimin e tërësishëm të këtij aktiviteti të prokurimit. Komuna e Mitrovicës Jugore, përmes anulimeve të përsëritura dhe të pajustifikuara të procedurave të prokurimit, përkundër pjesëmarrjes së operatorëve ekonomikë të përgjegjshëm, ka vepruar në kundërshtim me qëllimin e LPPsë, sidomos me nenin 7 që garanton trajtim të barabartë dhe pa diskriminim për të gjithë operatorët. Kjo praktikë ngre dyshime të arsyeshme se anulimet mund të jenë të motivuara nga prania e një operatori të caktuar, i cili ka ofertuar në të gjitha procedurat e anuluara, duke vënë në pikëpyetje integritetin e procesit. Në këtë drejtim, anulimi i kundërligjshëm i procedurës ka rezultuar në humbjen e fondeve për këtë projekt, të parashikuara në memorandumin e bashkëfinancimit. Sipas nenit 8 të këtij memorandumi, Komuna ishte e obliguar ta përfundonte projektin brenda vitit 2022, ndërsa mjetet e pashpenzuara mund të transferoheshin për vitin 2023. Nëse nuk shpenzoheshin mjetet as gjatë këtij viti, të njëjtat duhej të ktheheshin te DEMOS-i jo më vonë se më 25 dhjetor 2023. /Kujdestari.info/

Lexo më shumë

Të tjera