E hënë, 15 Dhjetor, 2025

Kur do të hapet për qarkullim ura për këmbësor mbi lumin Ibër?

Ndaj

Qytetarët e Mitrovicës nga janari i vitit 2026, do të kenë në dispozicion një urë të re të dedikuar ekskluzivisht për këmbësorë, projekt ky që pritet të bëhet simbol i ri i qytetit dhe e cila do të lidh edhe më shumë veriun dhe jugun në këtë pjesë të Kosovës.

Punimet për ndërtimin e kësaj ure janë duke avancuar me ritme të qëndrueshme dhe standarde të larta inxhinierike, duke premtuar jo vetëm një rrugë të sigurt për lëvizjen e qytetarëve, por edhe një hapësirë rekreative me elemente unike si ujvarë dekorative dhe pushimore.

Këto detaje i ka treguar për KosovaPress, udhëheqësi i kompanisë punëkryese, Jahir Nimani, i cili tha se në fillim të punimeve kanë hasur në telashe me ujin e lumit Ibër dhe pikat gjeodezike.

Nimani ka premtuar se ura e re për këmbësor që do të lidh edhe më shumë veriun me jugun e Mitrovicës, do të jetë më e bukura në Ballkanin Perëndimor.

Ai shtoi se kjo urë po ndërtohet me standardet më të larta të punës.

Mbi lumin Ibër nga fundi i muajit gusht të këtij viti u lëshua për qarkullim të automjeteve edhe një urë. E qytetarët e kësaj komune tashmë po e shfrytëzojnë këtë urë për qarkullim në të dyja anët e qytetit.

Më 1 korrik të këtij viti nisi ndërtimi i dy urave krah urës kryesore mbi lumin Ibër.

Vlera totale për ndërtimin e tyre është rreth 3 milionë euro. Por, pak pas fillimit të këtyre punimeve, Prokuroria Speciale i ka nisur hetimet për kontratën nën dyshime për keqpërdorim të fondeve publike.

Institucionet përkatëse të Kosovës i filluan ndërtimin e dy urave me gjithë reagimet e bashkësisë ndërkombëtare dhe kundërshtimet nga serbët në veri.

Lexo më shumë

Të tjera