E diel, 15 Mars, 2026

Kuponë për kopsht falas – mbështetje për prindërit e familjeve me asistencë sociale

Ndaj

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ofron pagesë të plotë për kopsht (kuponë) për përfituesit e Skemës së Asistencës Sociale (SAS) që kanë fëmijë të moshës 3 deri në 5 vjeç. Kuponi ofrohet për të ndjekur kopshte private dhe kopshte publiko-private të licencuara për vitin shkollor 2025/26, pa asnjë kosto për prindërit, raporton Kujdestari.info.

Programi do të mbuloj pagesën e kopshtit për të gjithë ciklin e edukimit të fëmijërisë së hershme;

Pagesën për transport për fëmijët të cilët nuk janë në gjendje të udhëtojnë, distanca e të cilëve është së paku 4 kilometra larg nga kopshti i përzgjedhur në procedurë të aplikimit.

Familjet e regjistruara në SAS të cilat banojnë në Prishtinë, Fushë Kosovë, Prizren, Ferizaj, Lipjan, Gjilan, Pejë, Gjakovë, Mitrovicë, Vushtrri, Graçanicë, Drenas, Shtime, Suharekë, dhe Klinë ftohen të aplikojnë në Programin e Kuponëve në mënyrë që të përfitojnë nga programi.

Pjesëmarrja në Program të Kuponëve nuk do të ndikojë në përfitimet nga Skema e Asistencës Sociale.

Kriteret për aplikim janë:

  • Familja duhet të jetë e regjistruar në SAS si përfituese;
  • Të ketë të paktën një fëmijë të moshës nga 3 deri në 5 vjeç në kohën e regjistrimit në kopsht. Mosha e fëmijës llogaritet nga data e ofrimit të shërbimit në kopsht, jo nga data e aplikimit në Program. Rrjedhimisht prindi apo kujdestari ligjor mund të aplikoj edhe para se fëmija të ketë mbushur moshën 3 apo 5, duke filluar nga 2 vjet e 6 muaj deri në moshën 4 vjet e 6 muaj. Me kusht që vijimin në kopsht ta nis në moshën 3 vjeçare dhe ta përfundoj kur fëmija fillon edukimin e detyrueshëm parafillor pas moshës 5 vjeçare;
  • Fëmija duhet të ketë vendbanimin në komunën ku aplikon për ta vijuar kopshtin.

Për ndihmë rreth aplikimit, procesit të përfitimit dhe çështjeje tjera në lidhje me Programin e Kuponëve, drejtohuni tek Qendra për Punë Sociale (QPS) në komunën tuaj. /Kujdestari.info/

Lexo më shumë

Të tjera