Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) ka refuzuar trajtimin e një informacioni anonim që përmbante pretendime serioze për krijimin e praktikave të dëmshme dhe kritere të kundërligjshme në procedurat e prokurimit publik, veçanërisht në tenderët për teknologji informative, duke u shpallur jo kompetente për shqyrtimin e këtij rasti, shkruan Kujdestari.info.
Megjithatë, rasti nuk është mbyllur. APK ka vendosur që çështjen ta delegojë për trajtim të mëtejmë te Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP), institucion që ka kompetencë të drejtpërdrejtë mbi hartimin e dosjeve të tenderëve dhe kriteret e përzgjedhjes.
Ky vendim është marrë më 21 janar 2026 dhe është publikuar në faqen zyrtare të APK-së, raporton Kujdestari.info.

Ankesë për kritere të kundërligjshme në dosjet e tenderëve
Sipas dokumentit që posedon Demokracia.com, më 29 dhjetor 2025, APK ka pranuar një informacion anonim që kishte për objekt praktikat e dëmshme në procedurat e prokurimit publik, përmes mënyrës së hartimit të dosjeve të tenderëve (FDT).
Në raport thuhet se ankesa ishte adresuar me kërkesë të qartë që Agjencia të ndërmerrte veprime për të garantuar transparencën dhe konkurrencën e lirë në prokurimet publike, veçanërisht në tenderët e fushës ICT.
“Subjekti raportues ka kërkuar nga Agjencia që të kryejë një rishikim urgjent të praktikave të hartimit të FDT-ve, të vendosë standardizimin e detyrueshëm të kritereve për tenderët ICT, të sigurojë zbatimin efektiv të parimit të proporcionalitetit dhe të pranimit të ekuivalencës”, thuhet në arsyetimin e vendimit.
Sipas raportit, ankesa kishte të bënte pikërisht me kritere të dizajnuara në mënyrë të tillë që kufizojnë konkurrencën, duke favorizuar operatorë të caktuar ekonomikë.
Pse APK nuk e trajtoi rastin?
Në arsyetim, APK sqaron se mandati i saj ligjor është i kufizuar dhe nuk përfshin mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të procedurave të prokurimit publik apo hartimin e kritereve të tenderëve.
“Mandati i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit është i përcaktuar me Ligjin Nr. 08/L-017 dhe kompetencat e saj kufizohen në zbatimin e ligjeve që kanë të bëjnë me konfliktin e interesit, deklarimin dhe kontrollin e pasurisë, si dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”, thuhet në dokument.
Për këtë arsye, APK ka konstatuar se pretendimet për praktika të dëmshme në prokurim nuk hyjnë në fushëveprimin e saj ligjor, duke u shpallur formalisht jo kompetente.
“Duke qenë se këto çështje nuk hyjnë në fushëveprimin ligjor të Agjencisë, Agjencia shpall veten jo kompetente për trajtimin e mëtutjeshëm të rastit”, theksohet në vendim.
Rasti i kalon KRPP-së
Si rrjedhojë, APK ka vendosur që rasti të mos mbetet pa adresë institucionale dhe ta delegojë atë te Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik, i cili ka mandat të plotë për të trajtuar çështje që lidhen me kriteret e tenderëve dhe dosjet e prokurimit.
“Për shkak të mungesës së kompetencës për trajtimin tutje të pretendimeve, Agjencia delegon rastin tek institucioni përkatës”, thuhet në pikën përfundimtare të vendimit.
APK ka sqaruar se parashtruesi i informacionit ka të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në afat prej 30 ditësh nga dita e pranimit të vendimit.
Ndërkohë, Agjencia thekson se mbetet e përkushtuar të veprojë në raste që bien brenda mandatit të saj ligjor, si konfliktet e interesit, deklarimi i pasurisë apo sinjalizimi. /Kujdestari.info/